Çna pengon në demokraci, të zgjedhim NJERËZ në udhëheqje?
Çfarë i pengon tani në demokraci shqiptarët të zgjedhin shqiptarët e vërtetë t’i udhëheqin? Manipulimi i zgjedhjeve, apo jo? Ku të ketë besim populli fukara që s’i ka mbetur gjë në dorë pse shtigjet që ojnë tek institucionet demokratike janë të mbyllura në rrethin e lidershipit politik sikundër dhe në diktaturë në një dorë të vetme.
Shteti është i kapur nga fisi, nga klani, nga militantët që përbetohen për lidershipin. Kulti i individit po bën kërdinë si dikur në diktaturë. Kjo e kaluar e hidhur po zgjatet. Pse duhet të kalojë dhe një gjeneratë tjetër politikanësh, që u mbajnë ison e korrupsionit total lidërve të tanishëm?
Nuk ka vija ndarëse midis grupimeve politike në programet e tyre. Partitë gjallërohen në prag fushatash elektorale dhe në ballë janë militantët si dikur komunistët e thjeshtë. Komunisti i thjeshtë në fshat mbetej prapë, kurse militanti bëhet dhe drejtor apo ruajna zot, ministër në demokraci.
Rrallë kemi parë bashkë një President shqiptar dhe një Kryeministër të ulen pranë e pranë në takimet e nivelit europian a botëror. Ata vdesin të kenë një fotografi me një lider të perëndimit si dikur një foto me udhëheqësin. Dhe ne presim që ata të ulen së bashku e të qajnë vërtetë hallin e fukarait, të sovranit, të vegjëlisë.