Ku është Erin Brokoviç?
Sapo është komentuar në disa media dhe në publik halli i madh mjedisor që e ka zënë këtë vend, sikundër edhe euforia industriale, pas së cilës mbahet fort pushteti aktual. Prezantimi së fundmi i fillimit të punës për krijimin e gjashtë parqeve industriale, është bërë përmes fanfarash të papara. Qeveria aktuale po ngatërron sukseset me shitjen e shfrenuar të aseteve të këtij vendi, sikundër edhe të interesave afatgjatë të qytetarëve shqiptarë. Edhe herë tjetër, jemi shprehur për mungesën e vizionit në lidhje me atë se ç’do të jetë ky vend dikur dhe cili do t’iu sillet qytetarëve të tij si formati promovues. Në eufori e sipër për “industrializimin” apo më mirë betonizimin e Shqipërisë, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, ekspertët dhe politikanët që janë pranë pushtetit, kanë harruar një gjë fare të thjeshtë: jetën e qytetarëve të këtij vendi. Është folur shumë për ndotjen e kryeqytetit. Është folur sa s’thuhet për Durrësin dhe Golemin. Mediat kanë informuar se zona veriore e këtij qyteti konsiderohet si një nga më të ndoturat, për shkak të veprimtarisë së industrisë kimike deri në fillim të viteve '90. Por përfaqësues të bashkisë, kanë dhënë alarmin për shkak se vendgrumbullimi i mbeturinave urbane mund të kthehet në një bombë ekologjike për Durrësin. Këtu, mjaft problematike paraqitet edhe djegia e pakontrolluar e plehrave dhe emetimi i gazrave ndotës në ajër.
Më tej, është bregdeti ku, si askund në botë, shikon të ndërtohen pallate gjigante deri në 17 e 18 kate, bash në rërë(!) Mediat raportojnë për nivele të larta ndotjeje edhe në Shkodër; ka shumë mangësi në pastrimin e mbeturinave në pikat e grumbullimit të tyre, ndërkohë që njihen mirë problemet e liqenit me të njëjtin emër. Po në këtë rreth, thuhet se po gërmohet pa kriter në malin e Taraboshit, në një moment kur ekosistemi i tij dhe i liqenit, janë shpallur "Zonë e mbrojtur".
Le të vijmë në Elbasan. “Kjo situatë katastrofike ekologjike, që të bën për të qarë, duhet të frenohet sa më shpejt.” Kështu iu është drejtuar kohë më parë autoriteteve vendore eurodeputeti Harry Vassallo, (njëherësh anëtar i Kryesisë së Partive të Gjelbra Evropiane.) Komuna e Bradasheshit i ka kërkuar firmës turke "Kurum" që brenda muajit dhjetor të këtij viti, të vendosë filtrat e pastrimit; në të kundërt, do të apelohet për bllokimin e aktivitetit. Nuk ka vonuar edhe reagimi i Zyrës Rajonale të Mjedisit, e cilaka mbështetur shqetësimet e drejtuesve të kësaj komune. Po kjo temë, është rrahur nxehtësisht edhe një vit më parë, dhe pastaj është kapërcyer ashtu nëpër mjegull.
Sot dhe tani, ne kemi probleme edhe atje ku s’ta pret mendja. Mediat kanë raportuar përpara pak kohësh se banorët e fshatrave Kimzë dhe Kalivar, në komunën e Gjegjanit, në Pukë, kanë paditur në gjykatën e këtij rrethi firmën që ka me koncesion minierën e bakrit në Kimëz, pikërisht për shkak të ndotjes së mjedisit. Konflikti mes banoreve të këtyre fshatrave dhe firmës që ka me koncesion minierën e pasur me bakër, por dhe polimetale, ka nisur prej vitesh. Është ndotur uji që përdorej për vaditjen e tokave, duke sjellë tharjen e bimëve. Madje sipas banorëve dhe drejtuesve të komunës Gjegjan, uji që përdorej për vaditje, është devijuar dhe ka humbje të burimit nëntokësor. Janë dërguar një sërë ankesash (zyrtare) në prefekturën e Shkodrës, në disa ministri apo edhe tek deputeti i zonës; madje reagimi është ngjitur deri tek kryeministri. Por ende askush nuk ka dhënë as përgjigje, as zgjidhje. Banorët vazhdojnë të ankohen se miniera nuk ka marrë masa për të hapur gropa dekantuese dhe uji bie në puse, ndërsa mbeturinat e mineralit shkaktojnë ndotjen e tij. Tashmë, komuna dhe banorët e këtyre dy fshatrave, i janë drejtuar gjykatës. Mund të vazhdojmë edhe më tej.
Përpara disa javësh, një grup banorësh me shtëpi në afërsi të fabrikës se çimentos në Fushë-Krujë, kanë bllokuar hyrjen e kësaj fabrike për gati 3 orë. Sipas tyre, helmet e fabrikës po iu rrezikojnë jetën. Edhe ata kanë thënë për mediat se është kontaktuar me drejtuesit e fabrikës, si edhe me pushtetarët vendorë, madje edhe në qeveri, por askush nuk jep përgjigje, pa le më zgjidhje. Kurse në disa fshatra të komunës së Otllakut, në Berat, uji i pijshëm ka nivel alarmant ndotjeje. Nga autoritetet e higjienës në rreth, janë çuar për t’u analizuar kampione të këtij uji; nga analizat, ka rezultuar se uji është tepër i ndotur, madje kategorikisht i papërdorshëm. Shembujt analogë të këtij rasti, dhe jo vetëm, janë kaq të shumtë, sa që numeracioni nuk do të kishte më kuptim. Ose do të mjaftonte vetëm ajo çka ndodhi në Gërdec, (së bashku me shfajësimet dhe shmëkatimet që vazhdojnë edhe sot e gjithë ditën,) për të kuptuar se deri në ç’masë është përbuzur mjedisi dhe fati njerëzor në pak vite.
Problemi që shtrohet, është shumë i thjeshtë. Mund të përmblidhet në një pyetje: Ku është Erin Brokoviç? (personazh hero i një filmi me të njëjtin emër që mbron një komunitet të dëmtuar nga një ndotje masive e fshehur). Lexuesi i nderuar e kupton fort mirë se këtu nuk është fjala për t’u marrë me formatin estetik apo me personazhet dhe ngjarjet e filmit të njohur. Pyetja “naive” ka të bëjë me infrastrukturën; jo me atë urbane, por me atë institucionale dhe pastaj, njerëzore.
Qeveria aktuale e këtij vendi, mburret se ka bërë shumë ligje, ka kryer mjaft reforma; Për fat të keq, në të gjithë këtë “kalërim” suksesesh, fati i njeriut është lënë atje tej, edhe pse në strategjitë e thurura bukur, nuk mungojnë zotimet për mirëqenie e jetë të shëndetshme.
Deri më sot, nuk kemi parë ndonjë proces, pas të cilit banorët e një zone të ndotur, të kenë fituar të drejtën e tyre për të mos u trajtuar barbarisht. Nuk dimë ende nëse në morinë e ligjeve dhe të reformave të bujshme, ka hapësira për institucione, parime dhe subjekte private, që do të duhej t’i shërbenin drejtpërsëdrejti jetës njerëzore. Më mirë, mbrojtjes së saj. Një “bum” industrial për të fituar (sa më shpejt) para, teren, pushtet politik, në kurriz të së sotmes dhe të ardhmes së qytetarëve, është më shumë se gabim apo paqartësi (strategjike); është faj.