Ëndrra për sovranitet

Katërvjetori i shpalljes së pavarësisë e gjen Kosovën pa sovranitet të plotë në pjesën veriore dhe me probleme të mëdha në fushën e sundimit të ligjit.
Pavarësisht këtyre, Qeveria e Kosovës vazhdon të besojë se ligji dhe Kushtetuta do të vendosen edhe në katër komunat, Mitrovicë të Veriut (ende e pathemeluar), Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan .
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë në integrimin edhe të Veriut dhe në themelimin e komunës së re.
Por, zëvendësi i Kryeministrit i siguron qytetarët se Kosova më e vogël nuk mund të bëhet.
“Mos u bëni merak se nuk zhbëhet kjo punë (pavarësia). Kosova mundet me qenë më shumë, por më pak kurrë”, ka thënë Kuçi, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, të mërkurën.
Edhe pse shumë raporte ndërkombëtare e radhisin keq Kosovën në shumë fusha, Ministri i Drejtësisë vlerëson se shteti i Kosovës është modern dhe konkurrues edhe me vendet perëndimore.
“Kosova sot me katër vjet të pavarësisë është konkurrente me shtetet e tjera moderne. Kosova është shtet modern dhe veç Zoti mund ta zhbëjë”, ka thënë Kuçi.
Ky zyrtar i Qeverisë ka thënë se vëllimi i punëve në Veri duhet të shtohen si nga faktorët vendorë, ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë.
“Është çështje sfiduese për Kosovën, natyrisht që nuk lidhet me ekzistencën e shtetit, por ligjet me ushtrimin e autoritetit të shtetit në atë pjesë. Këtu duhet përkushtim më i madh i të gjithë neve, në veçanti i KFOR’it dhe EULEX’it, një rritje e dinamikës, durim i gjithë neve për menaxhimin e asaj pjese”, ka shtuar ai.
Në pjesën veriore të Kosovës vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele, të financuara nga Beogradi, derisa prej korrikut të vitit të kaluar janë vënë edhe barrikada në rrugët e kësaj pjese si reagim i ndërhyrjes së policë së Kosovës. Doganierët në këtë pjesë shkojnë në pikat kufitare me helikopterë të KFOR’it. E gjatë dy ditëve të fundit, serbët atje janë deklaruar kundër institucioneve të Kosovës.
Por ndërhyrjen e Policisë në Veri, Kuçi e sheh si përfundim të idesë për ndarjen e Kosovës, derisa pret që këtë vit të arrihen rezultate edhe në integrimin e asaj pjese.
“25 Korriku i vitit të kaluar e ka zhvendosur idenë për ndarjen e Kosovës dhe tani nuk flitet më. Besoj se këtë vit do të kemi veprime të drejta që do ta zhvendosin idenë për mosintegrim të asaj pjese”, ka thënë ai.
Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Thaçi ka treguar se do të ketë ceremoni festive me rastin e ditëlindjes së pavarësisë, duke filluar me seancën solemne.
“Pastaj do të vazhdohet me pritjen e organizuar nga Presidentja në orën 18.00, gjithashtu edhe të premten, me parakalimin e FSK’së në Sheshin “Nëna Tereze””, ka treguar Thaçi.
Ai ka folur edhe për përmbylljen e pavarësisë së Kosovës dhe të arriturat e tjera gjatë katër viteve të shtetësisë.
“Tani në këtë përvjetor të katërt të pavarësisë së Kosovës, kemi edhe vitin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë me mbështetjen e plotë ndërkombëtare. Ky është viti i Kosovës europiane, viti i perspektivës së sigurt, i zhvillimit ekonomik, i rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve”, ka thënë Kryeministri Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë.
Kosova deri më tash është njohur nga 87 vende të botës, duke përfshirë SHBA’në, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, por vazhdon mosnjohja nga pesë vendet e BE’së, Kina dhe Rusia.