Ëndrrat e Qosjes për ri-izolimin e Shqipërisë, si program politik i neokomunistëve
Rexhep Qosja e ka përgjigjen tek artisti Saimir Kumbaro
Në të vërtetë Rexhep Qosja, një majtist i skajshëm nihilist e ka botuar shkrimin e tij, “Berisha sillet si stalinist”, më 18 maj të 1910-s. Shkrimi i Saimir Kumbaros është botuar më 13 maj të këtij viti, 5 ditë më parë. Prandaj duket paksa i çuditshëm titulli që regjisori dhe aktori i talentuar S. Kumbaro u përgjigjet, në një shqyrtim polemik të argumentuar, denigrimit që Qosja u bën intelektualëve shqiptarë. Ndërkaq ky është drejtvizor, gjithmonë në krehje bishti, ndaj së majtës sonë të indoktrinuar.
Me atë cilësorin në fund të fjalisë dua të them se e kam fjalën për të majtën fanatike, jo për PS-në në përgjithësi. Përndryshe ky politikan, i rreshtuar tashmë, si propagandist nostalgjik i së kaluarës së zymtë, nuk do të shfaqej ashiqare kundër së majtës së I. Metës, me tipare integriste, properëndimore.
Mbase shumë nga shqiptarët e kanë parasysh atë nismë me protagonist R. Qosen, qysh në fillimet e proceseve demokratike, kur ai mori përsipër të bënte Pajtimin Kombëtar në Shqipëri. Ai farë pajtimi, me nder jush, përfundoi në një flluskë sapuni. Për faj të Qosjes, sigurisht. Sepse ky u pajtua tërësisht me të majtën ekstremiste, që në tryezën e parë të “Pajtimit”. Ish-të përndjekurit mëtuan në tryezë që të kërkohej ndjesë për krimet në masë të komunizmit. Natyrisht ish-të përndjekurit politikë në tryezë, nuk ranë në këtë kurth të shëmtuar. Qosja ishte në zë të njëjtë me këtë mujshi të mëkatarëve. A mund të bëhej Pajtim Kombëtar, duke qenë ish-të përndjekurit në bisht të tavolinës? Por, - ajo që ka rëndësi thelbësore, - si mund të bëhej ky pajtim pa dënuar paraprakisht shfarosjen e qindramijëve të pafajshëm nga një totalitarizëm i pashoq i cili, përpjesëtimisht, nuk kishte arritur në përmasa të tilla në krejt Lindjen Europiane? A mund të bashkëjetonte një demokraci e shëndoshë me enverizmin? Kjo zgjoi dyshime për prapamendimet e së majtës. Njerëzit me një nuhatje sado të paktë politike, kuptuan se e majta jonë do të ishte thikë prapa shpine në zvarritjen e shtetit të ri shqiptar. Një e majtë sui generis, krejt e pangjashme me të majtën europiane, e cila kishte denoncuar krimet e Stalinit qysh në vitin 1956. I shkoi huq mundi Qosjes, që ishte pritur me salltanete e me nderime të mëdha nga e majta jonë e skajshme. Kjo i trashi fort lidhjet me të ardhurin nga Kosova. Berisha mbajti qëndrim të prerë kundër këtij turpi, që kishte të bënte me shpërfilljen e vuajtjes së shqiptarëve në atë diktaturë të padurueshme, që i katandisi njerëzit të ngriheshin në mes të natës për të marrë pak qumësht për fëmijët, duke mos ia arritur shpeshherë as kësaj, se qëndrimi në radhë merrte fund, mbarim të qumështit! Pra, është i hershëm mllefi i Qosjes kundër Berishës. Dhe gazetat ku shkruan ky puthador i së majtës sonë ekstreme e zbrazin helmin e tij të përqendruar, në faqe të parë, ku me shkronja pankarte, shkruhet: “R. Qosja shprehet se Berisha kërkon të varrosë Metën”. Duke qenë edhe intrigant, ai e përgojon LSI-në, e cila ka në emblemën e flamurit të saj Integrimin. Pra, është i natyrshëm bashkëveprimi në vendin tonë i së djathtës me të majtën integruese, në dobi të Shqipërisë. Akademiku-politikan kërkon ende izolimin e Shqipërisë, si në kohë të E. Hoxhës. Dhe nxjerr vrerin e tij kundër bashkëpunimit të sinqertë të dy partive që vënë interesat e atdheut mbi ato partiake, duke mbajtur anën e atij që ka vënë interesat e un-it të vet, përmbi interesat e Integrimit.
***
Kur themi se Saimir Kumbaro i përgjigjet R. Qosjes a posteriori, kjo nuk do të thotë se shkrimi i S. Kumboros “Si shumë po i lodh njerëzit, shoku Rama” është një replikë ndaj artikullit të R. Qoses (Madje Qosja nuk përmendet në shkrimin e artistit tonë). Ndonëse ky shkrim kundër “shokut Rama” është botuar pesë ditë më parë se ai me titullin e brendshëm të gazetës që përmendëm, “R. Qosja: Kuvend demokratik, apo politbyro politike?” (f. 20 e Gazetës), afërmendsh që nuk po i japim Saimirit fuqi profetike. Veçse dihet mirë qëndrimi politik i Qoses kundër PD-së, alergjia e tij përkundrejt kryetarit të saj, dashuria e tij morboze ndaj së majtës gjynahqare. Kjo dëshmon se ai hoqi dorë nga veprimtaria letrare dhe nga analizat e veprave të letërsisë. E zvetënoi dhe nuk pati respekt për emrin e akademikut, për t’u futur në spiralet e një politike meskine, që e bëri të pavotuar në Kosovë dhe të dëmshëm për ecurinë e një demokracie të shëndoshë në Shqipëri. Si një person i etur për trajtime ledhatare e për konsiderata false, - për të cilat majtizmi ynë enverist është mjeshtër, - ra plluq! në kënetën dhe në llumin e saj, duke u bërë nihilist ndaj kulturës së re demokratike shqiptare. Në gojën e Rexhepit, ajo fjala “Politbyro”, në titull të gazetës, që u vishet kundërshtarëve të tij politikë, tingëllon groteske. Sepse syzet opake të “akademikut” nuk dallojnë dot prozën nga poezia, siç tallej Molieri me Borgjezin Fisnik. Nuk shquan dot se çdo të thotë i biri i persekutorit Sulejman Bushati, - sot deputet i E. Ramës, - kur shprehet se është krenar për babanë! Nuk e lënë gjyslyket e errëta të shohë se ç’bëhet më 16 shtator në Pezë, me nismën e Ramës, me fotot e Enverit dhe me ditirambet ndaj “mprehjes së tij të shpatës kundër armiqve”; bën sikur nuk di çka ndodhur me ndotjen e mureve të ministrisë së Jashtme të Milos, duke varur portretet e E. Hoxhës nëpër muret e ministrisë së Jashtme! Regjisori dhe artisti i talentuar Saimir Kumbaro, ka përgjigje për të gjitha prapësitë e Rexhep Qoses, të cilin e sheh të përlotur nga dëshpërimi, siç e shoh edhe unë, me sytë e mendjes, kur I. Kadareja do të marrë çmimin Nobel!
***
Le të shohim, konkretisht, disa nga kundërvëniet e z. Saimir Kumbaro. Do të jetë e pamundur, për arsye vendi, t’i trajtojmë të gjitha, një për një. Qëndrimi ndaj intelektualëve dhe artistëve shqiptarë: Si e shihni peticionin e këtyre?- është një pyetje e goditur e intervistueses, drejtuar R.Q-s: “E konsideroj të gabuar. E konsideroj si fatkeqësi intelektuale (...)Peticioni flet shumë keq për gjendjen e inteligjencies sonë. (...)Mos të flasë (ky peticion) për regjimin e kryeministrit të sotëm, një regjim që s’lë gjë pa bërë, duke i përdorur edhe intelektualët. çfarë çudie! (Si monsieur Zhurdeni!) (...) Të gjithë këta nënshkrues të mosbindjes qytetare, si do të thoshte Noli i madh, nuk kanë harruar çka krejt do të kishin harruar dhe nuk kanë mësuar çka krejt do të kishin mësuar. Shumë prej tyre ishin dikur këngëtarë, artistë, shkrimtarë, shkencëtarë, që i shërbenin të heshtur diktaturës ose glorifikonin diktaturën... Do të duhej të shprehnin pendesë (Cili prej kriminelëve të diktaturës shprehu pendesë në tryezën tënde të “Pajtimit”?). Keqardhje për sjelljen intelektuale në të kaluarën e jo të vihen prapë në shërbim të të një despoti stalinist, që s’ka karizmin e as autoritetin e të parit(...). Të mbahesh me këtë regjim do të thotë të tradhtosh jo vetëm misionin, por edhe detyrën elementare intelektuale. Kolegët e mi në Shqipëri bënë zgjedhjen tmerrësisht të gabuar”.
Ja mendimi i z. Saimir Kumbaro, duke iu drejtuar shokut Rama: “Në vitin 2000 u zgjodhët kryetar i bashkisë së Tiranës. Komuniteti i artistëve dhe i shkrimtarëve shpresoi se do të shndërroheshit në një promotor në dobi të jetës kulturore e artistike të kryeqytetit(...) Kam pas besuar se do t’i jepnit jetë iniciativave private artistike, duke vepruar si të gjithë kolegët tuaj perëndimorë, që u ofrojnë artistëve hapësira publike dhe mjete për të realizuar krijime bashkëkohore. Kam pas besuar se do të përpiqeshit ta shtrinit më tej emancipimin e popullit. Mirëpo ajo çfarë ke bërë ti në fushën e kulturës dhe të lëvizjes artistike, rezulton të jetë një masakër e vërtetë. Ti jo vetëm që nuk ndërtove institucione të reja, siç mund të ishin Galeria dhe Muzeu i Bashkisë, Teatri për të rinjtë; jo vetëm që nuk përkrahe iniciativat për organizimin e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, por iu sule atyre pak institucioneve artistike dhe i shkatërrove. Kujtoj inaugurimin e Kinema “Republikës” që ti e quajte “Milenium 1”. Ku është? E rrafshove nga faqja e dheut. Rrafshove Kinema “17 Nëntorin”, kinema “Ali Demin”, kinematë në Kombinat e në Laprakë, kinema “Partizanin” dhe i dhe dërrmën kinema “Dajtit”. Nga të buron e gjithë kjo urrejtje për artin shqiptar? Ti Shkatërrove Estradën e Tiranës. Deshe të shkatërroje edhe Teatrin Kombëtar, por nuk të eci. Mban të mbyllur kinema “Agimin”.
Më kujtohet mirë një mbledhje në Teatrin Kombëtar, kur talle e përbuze artisten e popullit, Violeta Manushin. Ti nuk ke respekt për asnjë lloj zhanri dhe artisti që krijon art kombëtar. Shan dhe etiketon me gjithfarë epitetesh artistët dhe e krijuesit që nuk janë pro teje. I quan ahengxhinj e dajrexhinj, kalemxhinj e bojaxhinj. Epiteti i fundit do t’ju përshtatej më së miri, se e ke treguar veten që në këtë fushë s’ta kalon njeri. Mbete një piktor ambalazhesh. Kryeveprat tuaja janë pallatet me shigjeta në Unazën e Tiranës dhe fasadat pa shije të godinave socrealiste. “Bunkerin” tënd në Die të Francës, të mbuluar me rrecka, ti e deklarove para publikut francez si “një copë Shqipëri” (...). Ty të përkrahin ata artistë që financohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë. (Je edhe ti, o Qosje, një nga ata?). (...) Dil e shih si e ke katandisur Kryeqytetin. Të zë tmerri kur mendon të dalësh nga shtëpia me makinë: gjithandej stres, zhurmë e pluhur (...) Të fortët, që ti i ke shumë frikë, i kompensove në toka në zona parqesh. Ti je frikacak dhe oportunist! Të njoh mirë dhe e di që nuk je trim. Përkundrazi. Shkrimet e tua nuk janë gjë tjetër veçse fletë-rrufé të stilit të revolucionit kulturor kinez. Prano një këshillë, si koleg. Mos ofendo ata që dikur të kanë mbështetur, të kanë dalë krah dhe të kanë votuar. E kuptoj që barra që ke marrë përsipër është shumë e rëndë. Por harron se gjunjët e tu nuk e mbajnë dot këtë ngarkesë. Nuk merret pushteti me dhunë, o njeri. Në një emision të Adi Krastës dëgjova kryetarin e G 99-s, E. Veliajn, që na quajti krunde. Ata pak artistë që të mbështesin i quajti miell (si “mielli” Qosja!- shënim). Sa qesharak m’u duk mullixhiu yt, ky pionier i Ramiz Alisë. Na quajti krunde se nuk jemi dakord me rrugën tënde. Ky djalë që të imiton, është ende i njomë që të fyejë me banalitete ordinere armatën e artistëve. (Por ka edhe pleq që bëjnë të njëjtën gjë, si R.Q-ja.-shënim). është tepër i vogël që të cilësojë si krunde zonjat Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Irini Qiriako, Lili Cingu, Jera Kruja, Edi Luarasi, si edhe zotërinjtë Agron Aliaj, Mirush Kabashi, Rexhep çeliku,, Edmond Zhulali,, Zhani Ciko,, Mihal Luarasi, Halim Kosova, Dhori Kule, Shezaí Rokaj, Marenglen Spiro... Asistenti yt, E. Veliaj, është ende i vogël të përbuzë e të përgojojë në emisionet televizive emra të tillë që janë nderi i kombit.
Vijmë prapë të R.Q. që pyetet nga intervistuesja: “A duhet të ndërhyjë komuniteti ndërkombëtar i cili, deri tani, nuk ka legjitimuar grevën e urisë, mosbindjen civile, por edhe nuk ka ndërhyrë për zgjidhjen e situatës? “. Përgjigjja e R.Q-s: “Të them të drejtën sjellja e faktorëve ndërkombëtarë në këtë situatë po më duket e çuditshme. Dhe, e pakuptueshme. Nuk e di pse po presin dhe çka po presin! Kosova ka shumë përvojë për protesta, për demonstrata, për mosbindje qytetare, për greva të urisë. Të gjitha këto janë institucione demokratike, të luftës për liri, për të drejta, për demokraci; i ka shpallur filozofia e Evropës dhe e SHBA-ve. Ne, në Kosovë e në Shqipëri, kemi luftuar për të drejta, për liri dhe për demokraci duke respektuar standardet politike dhe demokratike evropiane, për t’i bërë ato ligje në jetën tonë. Institucionet evropiane dhe amerikane prandaj (nënvijimi ynë) nuk mund të mos i pranojnë ato protesta, grevën e urisë, mosbindjen qytetare në Shqipëri sot: nuk do të mund të mos e kërkojnë hapjen e kutive të votimeve, domethënë transparencën në Shqipëri, si njëri (duhet:njëra, mbase gabim shtypi) prej përbërëseve themelore të demokracisë. Kot zonja Doris Pak e kërkon ndërprerjen e grevës së urisë dhe të mosbindjes qytetare në Shqipëri sot...[Pastaj R.Q. zgjatet me problermatikën e Gjeorgjisë dhe me veprimtarinë e Shakashvilit, me përkushtimin e tij që është fare i pangjashëm me absurditetet e E. Ramës].
Ja edhe mendimi i z. Saimir Kumbaro për grevat e Ramës (të cilit i flet në mënyrë të drejtpërdrejtë) dhe pa eufemizmat e R.Q-s të mosbindjes qytetare, që intervistuesja, me hak, e ka quajtur mosbindje civile: “Si njëri prej firmëtarëve të asaj letre që aq shumë të ka acaruar, të pyes: “Përse bëhesh pengesë e njerëzve, të cilët duhet t’i bashkojë me botën integrimi? Nxitësit e së keqes janë kategoria më negative e shoqërisë. Përse u dashka të na ngresh një çadër-pritë dhe të bllokosh rrugët? Po ndalon qarkullimin e njerëzve dhe ky veprim ndalohet nga ligji. Edhe në Paris ka greva e demonstrata. Por askush nuk guxon të bllokojë sheshin e Bastijës ose ShanzElizenë. Njerëzit protestojnë, édhe me dele e lopë , por janë në lëvizje dhe jo më shumë se tri-katër orë në ditë . Ti organizon anarkinë, se ky tipar është pjesë e karakterit tënd.. Për ty edhe ata që kanë hyrë në grevë, kjo protestë është e drejtë; por ajo shkel parimin bazë të demokracisë. Greva jote, në mes të Tiranës, shkel të drejtat e anës tjetër, që nuk është dakord me ty. Do të qé e udhës që të zgjidhje një tjetër vend që të mos pengohej qarkullimi i njerëzve. Rruga është e udhëtarit dhe e Zotit dhe jo e pasuesve të tu. Përse kërkon të na kthesh në shekullin e kaluar, kur nxitësit e ’97-s dogjën e vranë mbi 4500 njerëz? Me nxitjen e tyre dhe etjen për pushtet shkatërruan shtetin e brishtë, që nuk kishte më shumë se katër-pesë vjet jetë. Disa nga ata që sot të rrethojnë, nxitën njerëzit dhe dogjën vendin, duke penguar ecjen e shqiptarëve drejt së ardhmes. Fjala “luftë” që ti ke qejf ta përdorësh shpesh, ngjit shumë në masën e njerëzve të paditur. Në 1997-n u sajua një luftë absurde, një luftë ku shqiptarët, të nxitur nga partia që ti përfaqëson dhe aleatët tuaj, që sot mbajnë fjalime patetike, nuk bëjnë gjë tjetër, veç nxitjes drejt së keqes. Hidh sytë pas e kujto se ç’gjëmë ra mbi popullin e pafajshëm në 1997-n. Fjalori fyes që ti përdor kundër atyre që nuk mbajnë anën tënde, nuk i shërben askujt. Fjalori yt nxit urrejtjen. Gjej, mor burrë, një mënyrë dhe zgjidhe këtë nyje gordiane që ke gatuar vetë”.
Dhunën e 1997-s për zhvatjen e pushtetit, R.Q. e quan Revolucion i vonuar. Por populli i ka vënë edhe një mbiemër: bolshevik! Në këtë intervistën e tij të fundit, i pavotuari në Kosovë del, me një mujshí të shfrenuar, kundër intelektualëve shqiptarë, kundër faktorit ndërkombëtar (D. Pakut, etj.), me krahasime të pamundshme, si ato të antiligjorit që kërkon rrëmbimin e pushtetit brenda një kohe që e cakton ai vetë, duke rënë në blofe të njëpasnjëshme. Janë “demokratë” të dhunës si R. Qosja, ashtu edhe anarkisti i çartur S. Ngjela. Edhe ky, në Shqipëri, është po aq i pavotuar sa Qosja, në Kosovë. I pari bën krahasime me zezakët e Amerikës të kohës që përshkruan Heriet Biçer Stoue. I dyti bën krahasime të Gjeorgjisë me Rusinë, apo të Serbisë me Kosovën. Dhe, të dy së bashku, kujtojnë se marrëdhëniet ndërmjet pushtuesve dhe të të pushtuarve janë si ato të pozitës me opozitën, në një shtet demokratik! Vetëm e vetëm që të përligjin paligjshmëritë e Ramës, në synimin që ky i fundit t’ia bëjë edhe të gjithë popullit, atë që i punoi Lëvizjes për Mendimin Ndryshe!
Më vjen keq që nuk i ballafaqoj dot të gjitha kundërvëniet që u bën mendimeve nostalgjike - ndaj diktaturës që na la shëndenë, - të Rexhep Qosjes, regjisori ynë i talentuar, Saimir Kumbaro. Por faqet e gazetave janë të kufizuara.