Edi Rama xhiron 9 muaj bosh
Mbajti një kurs agresiv që kulmoi me bllokim rrugësh e grevë urie, por pas presionit të ndërkombëtarëve, po pranon ofertat që i ishin bërë nga mazhoranca që në muajin shtator, për hetimin e kutive të materialeve zgjedhore. Reagimi i djeshëm kundër Kodit Zgjedhor vlerësohet si një përpjekje për të fashitur rebelimin që po shfaqet në strukturat drejtuese të grupit parlamentar, për një kryetar partie, që po e çon PS-në në periferi të zhvillimeve politike
Edi Rama pranoi dje një tjetër bllof të tij dhe partisë që drejton lidhur me pretendimet për ligjshmërinë e zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë. Shumica parlamentare i ofroi opozitës që në ditët e para kur ajo shfaqi pakënaqësitë për zgjedhjet e qershorit, të cilat ishin të nxitura kryesisht nga dalja e rezultatit të procesit dhe ku u pa qartë se PS dhe koalicioni i saj dolën humbëse, të gjitha mundësitë ligjore për të fokusuar në rrugë institucionale pretendimet e saj. Pas më shumë se 11 muajsh, Edi Rama kthehet tek po ato rrugë ligjore që i ofroi mazhoranca në ditët e para të muajin shtator.
Fakti që Edi Rama u kthye duarbosh edhe nga darka e “Strasburgut”, është i pamohueshëm tashmë, dhe kjo duket qartë jo vetëm nga qëndrimi i kryesocialistit, dy ditë pas takimit, por edhe nga opinioni i disa eksponentëve të brendshëm të selisë rozë. Shtrimi i kauzës në tryezën e iniciuar nga ndërkombëtarët dhe zbardhja e të gjithë asaj që ishte trumbetuar për muaj të tërë, pra nuk ekzistojnë argumente dhe fakte të qëndrueshme për kauzën e opozitës, mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Miratimi në Kuvend i nismës së socialistëve, për ngritjen e një komisioni hetimor, me shumicën e opozitës dhe me kryesim po nga vetë opozita, vazhdoi të konsiderohej si shkelje e rregullores së parlamentit, nga deputetët socialistë. Mirëpo, do të duhej të ishte darka dhe takimi i Strasburgut, që Edvini të pranonte ligjshmërinë e komisionit hetimor dhe përputhjen e tij me rregulloren e Kuvendit. Edi Rama dhe ndjekësit e tij, tashmë kanë filluar të konsiderojnë si mundësi për shqyrtimin e pretendimeve të tyre, funksionimin e komisionit hetimor, të miratuar nga Kuvendi disa javë më parë. Kjo edhe është parashtruar si mundësi për konsiderimin e pretendimeve të opozitës dhe hedhjen e tyre në shqyrtim gjatë punës së komisionit hetimor. Kësisoj, ky është një tjetër bllof që bëhet me vetëdije të plotë nga ana e kryesocialistit Edi Rama, duke pranuar publikisht se mund të pranojë hetimin parlamentar të zgjedhjeve dhe këtë herë duke mos vënë asnjë kusht tendencioz për hetimin e procesit elektoral.
Por, Edi Rama nuk dal euforinë e tentativa për të shkelur ligjin dhe marrë kompetencat e gjykatave. Në këtë kontekst, Edvini u shpreh dje se nuk ka ndërmend të pranojë nenin 176 pika 6 të Kodit Zgjedhor, të miratuar me unanimitet nga mazhoranca dhe opozita e drejtuar prej tij. Ky nen parashikon djegien e fletëve të votimit, pas arkivimit të materialeve zgjedhore. Shprehjet se nuk ka vullnet për respektimin e ligjit, posaçërisht të një dokumenti me votim të cilësuar si Kodi Zgjedhor kanë çuditur dje vëzhguesit e politikës së ditës, të cilët e kanë shpjeguar si një rrëshqitje nga kursi tërheqës që ishte ndjekur qysh prej kthimit nga Strasburgu, por edhe njëfarë përpjekjeje për zbutjen e rezistencës brenda strukturave socialiste, që duket se po nis me përvijimin e qartë të dështimit të strategjisë së opozitës së rrugës.