Çollaku: Shuma marramendëse për blerjen e votës, të hetohet financimi i fushatës
Një deklaratë e fortë e zëvendës.ministrit të Punëve të Jashtme vetëm 2 ditë pas proçesit zgjedhor,por e rithyer bujshëm ditët e fundit në median e shkruar ka risjellë edhe njëherë në vëmendje fenomenin e blerjes dhe shitjes masive të votës. Duke i qëndruar këtij pretendimi, Kreshnik Çollaku në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj pohoi se ka indicje dhe prova, që shuma të mëdha parash kanë qarkulluar në mbështetje të kundërshtarit, shuma të cilat sipas tij superojnë fuqinë e individëve në vendin tonë. Çollaku flet për pastrim parash nga qarqe të huaja, pse jo mafia rajonale, për të cilat ai kërkon një hetim nga organi i akuzës, pasi në të kundërt nëse ky kanal konsolidohet do të sillte destabilitet të vendit dhe vetë rajonit.

E pashë lajmin e botuar, por vërejtja ime është se disa prej titujve kanë qenë spekulativë. Intervista apo komenti im ka qenë dy ditë pas zgjedhjeve, me 25 qershor. Qëndrimi im është se në këto zgjedhje ndodhi fenomeni i blerjes dhe shitjes së votës. Masivitetiti që u shfaq është shqetësues.Çfarë unë kam pohuar në intervistë është se shuma të mëdha parash përfliten që mund të kenë qarkulluar, gjurmë të tyre kemi, në rastin e Lezhës, Shkodrës, Pukës. Po të hetohen ka dhe prova të tjera, prova të gjalla.Një shumë kaq e madhe superon fuqinë e individëve. Nuk mund të jenë përherë shtete, por nuk përjashtohen edhe shtetet. Mund të jenë fuqi të grupeve ekonomike informale ,mafia rajonale, interesa ekonomikë të një vendi apo tjetri. Fuqia e asaj shume superon individë të fuqishëm edhe brenda vendit. Ka shumë indicje për të kërkuar një hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, nga të gjitha shërbimet tona. Rreziku është se në rast ky kanal konsolidohet, atëherë nuk njeh ngjyra dhe janë të rrezikshme për stabilitetin e një vendi, çfarë nuk është në interes as të Shqipërisë dhe as vetë rajonit. Shqipëria ëhstë e përcaktuar në luftën kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit. Ky vazhdon të jetë meraku im deklaroi ai.