Çorapegjata e re është Madona
Flokë portokalli e të gjatë, të lidhur anash me dy gërsheta që i qëndronin gjithmonë përpjetë. Një fytyrë e vogël dhe e rrumbullakët e mbushur me quka, e karakterizuar nga një lloj buzëqeshjeje që nuk harrohet lehtë dhe sy blu si qielli. Kjo është Pipi çorapegjata, siç e kujtojmë të gjithë, personazhi kryesor i librit të Astrid Lindgren, i cili kishte gozhduar para ekranit të televizorit breza të ndryshëm fëmijësh të viteve ’70. Në atë kohë TV komercial nuk ekzistonte ende dhe në shtëpitë e teleshikuesve kishte vetëm televizorë bardhezi. Edhe pse kanë kaluar dyzet vjet, Pipi çorapegjata vazhdon të magjepsë edhe fëmijët e mijëvjeçarit të ri, të cilët ndjekin aventurat e saj në kanalin “DeaKids”. Takimi me Pipin është i përditshëm: telefilmi transmetohet çdo mbrëmje në orën 20:00 dhe ritransmetohet në orë të ndryshme gjatë ditës.
Aventura dhe bastisjeInger Nilsson rikthehet në TV. është pikërisht ajo, gruaja që i dha jetë Pipi çorapegjatës. Në një intervistë-dokumentar të gjatë të zhvilluar në Stokholm, aktorja sjell ndërmend edhe një herë karrierën e saj dhe tregon prapaskenat e asaj kohe të mrekullueshme, disa anekdota dhe kuriozitete rreth personazhit që interpretoi në vitet ‘70 dhe që e bëri të famshme në të gjithë botën. Edhe pse kanë kaluar pothuajse dyzet vjet nga rishfaqja e Pipit në ekranin e vogël, ende nuk është venitur plotësisht kënaqësia për të zbuluar se në cilat aventura të reja do të shfaqet sërish ajo vajzë e vogël me forcë mbinjerëzore, aspak e turpshme, madje e paparashikueshme, e çmendur dhe e guximshme në të njëjtën kohë, e cila jeton në një vilë të madhe me kalin Zieto dhe “Zotin Nilson”, majmuni i vogël që e ka sjellë nga një udhëtim në det me të atin, kapitenin Efrem çorapegjata, kreu i piratëve dhe mbret i një ishulli të humbur diku në një oqean të pacilësuar.
Në fakt, jetimja Pipi (“mamaja ime jeton në qiell, ndërsa babai është tmerri i oqeaneve”) i kalon ditët nën shoqërinë e dy miqve të ngushtë, Tomit dhe Anikës, dhe i përballon shpenzimet me monedhat prej ari që i ka vjedhur i ati. Sapo është shfaqur personazhi ka bërë menjëherë për vete publikun e të gjithë botës. Një pjesë e suksesit, përveç skenarit i cili bazohet në librin e Lindgren i publikuar në 1954-n, i detyrohet edhe Inger Nilsson, vajzës që interpretonte Pipin para kamerës.
Kujtimet e një ish-vajze të vogëlEdhe për të kanë kaluar pothuajse dyzet vjet. Sot Inger është një zonjë e bukur, por edhe pse ka ndryshuar shumë nga ajo vajza e vogël që e ka njohur publiku, nuk e ka humbur aspak shikimin dhe shprehjet që e bënë të famshme kur ishte vogëlushe. Kur e pyesin se cilit personazh të famshëm do të dëshironte t’i ngjante Pipi, ajo përgjigjet: “Madonës, sepse edhe këngëtarja thotë dhe bën çfarë i do qejfi, njësoj si Pipi”. Në një intervistë për kanalin “DeaKids”, Nilsson ka folur edhe për eksperiencën e saj në sheshin e xhirimeve. Pas personazhit që e bëri të famshme, i janë ofruar role të tjera të vogla, por Nilsson nuk iu përkushtua njëqind për qind kinemasë. Gjithashtu, ajo thotë se kur luante në rolin e Pipit u miqësua shumë me fëmijët që interpretonin Tomin dhe Anikën, me të cilët luante edhe gjatë pushimeve të vogla të punës. Gjithmonë në sheshin e xhirimeve, ajo ka takuar shumë herë autoren suedeze, Astrid Lindgren, e cila ishte një mit në vendin e saj. Në nder të saj sot në Stokholm ekziston edhe një park-muze lojërash, “Junibacken”, i frymëzuar nga përrallat e saj. “Kemi kontaktuar edhe gjatë viteve të fundit, deri para se të vdiste. Më kujtohet kur vinte dhe na vizitonte gjatë xhirimeve. Ajo që më habit më shumë me veten është se nuk kisha aspak turp, edhe pse ajo ishte shumë më e madhe se unë dhe tepër e suksesshme. Kishim krijuar një marrëdhënie shumë të bukur”, thotë aktorja.
Pipi dhe sekretet e sajIntervista e aktores ka vijuar me pyetjet e ndryshme që i kanë bërë fëmijët. Pyetjet kanë qenë të tipit: “Si arrije t’i mbaje të ngritura lart gërshetat?”; “Si jetoje pa prindërit”. Heroina e padiskutueshme me flokë portokalli vazhdon të çudisë dhe të magjepsë si dikur publikun e vogël. “Pipi na ka mësuar të jemi të pavarur”, thotë Inger Nilsson. “Kjo është karakteristika e saj më e fortë”, përfundon ajo.
Rreth aktoresKarin Inger Monica Nilsson ka lindur më 4 maj të vitit 1959. është një aktore suedeze, e njohur për interpretimin e saj në telefilmin e vitit 1969-’70 “Pipi çorapegjata”. Pavarësisht suksesit televiziv nuk arriti të ndërtonte një karrierë si aktore (edhe pse është angazhuar me role të vogla në tri prodhime televizive nga viti 1989 deri në 1995-n). Ajo ka punuar për një kohë të gjatë si sekretare në një kompani në Stokholm.
Në vitin 2000, regjisori zviceran, Xavier Koller, u përpoq ta bindte që të pranonte një pjesë të rëndësishme në filmin “Gripsholm”, i frymëzuar nga autobiografia e gazetarit gjerman, Kurt Tucholsky (1890–1935). Kohët e fundit Inger është shfaqur në një serial televiziv gjerman (ku interpreton një mjeke ligjore) dhe në një suedez.
#