Studimi, shqiptarët e justifikojnë dhunën
Dhuna në familje, si dhe problemet e tjera me bazë gjinore, vazhdojnë të jenë problematike në vend. Në një takim kombëtar për zbatimin e masave ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, strukturat përkatëse kanë tërhequr vëmendjen për më shumë bashkëpunim për të luftuar këtë fenomen. Ky problem shqetësues i ka bazat edhe te vetë shoqëria shqiptare. Këtë e dëshmojnë më së miri shifrat e studimit më të fundit, të cilat bëhen publike nga zv/ministrja e Punës, Filloreta Kodra. “Siç konstatohet edhe nga një studim i realizuar gjatë kohëve të fundit, 31 për qind e grave dhe 36 për qind e burrave e konsiderojnë dhunën në familje si një fenomen që e ka një shkak të fortë, pra në një farë mënyre e justifikojnë atë”, tha Kodra. Sipas saj, shteti dhe strukturat përkatëse duhet të punojnë sidomos për edukimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë, në parandalimin e këtij fenomeni. Parandalimi i dhunës me bazë gjinore, mbrojtja dhe ndihma që u duhet dhënë viktimave, është një nga detyrat kryesore të strukturave përkatëse shtetërore. Nisur nga kjo, muajt e fundit janë trajnuar rreth 800 punonjës të personelit shëndetësor, ndërkohë që deri në fund të vitit 2010 pritet trajnimi i mbi një mijë punonjësve të tjerë. Nga të dhënat e studimit të fundit, raportohet se rastet më të shpeshta të dhunës në familje evidentohen tek ata persona që vuajnë për shkak të kushteve të vështira ekonomike, si edhe nga mungesa e arsimit të duhur të kryefamiljarëve.
#