E Diel, 1 Nëntor 2026

personalitete të huaja në Kosovë për 10 shtatorin

Me rastin e përfundimit të fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, në Kosovë, më 10 shtator, do të zhvillohet një ceremoni madhështore, ndërsa më 11 shtator nëpërmjet videolinkut do të drejtohet me një fjalim edhe ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton.
 

Përgjatë dy ditëve, më 10 dhe 11 shtator, kur pritet të përmbyllet mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë, në Kosovë, përveç Martti Ahtisaarit, Frank Wisnerit, Wolfgang Ischingerit, do të qëndrojë edhe komisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fyle. Mediat kosovare kanë zbardhur disa nga detajet e axhendës së 10 shtatorit, ditës kur do të përmbyllet mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës.
 

Institucionet e Kosovës, konkretisht Ministria e Jashtme, ka bërë të gjitha përgatitjet për ta pritur më 10 shtator, në Prishtinë, kryenegociatorin, arkitektin e pavarësisë, Martti Ahtisaari, dhe ish-negociatorët, përfaqësuesin e SHBA-së, Frank Wisner dhe atë të BE-së, Wolfgang Ischinger.
 

Ahtisaari, Wisner dhe Ischinger tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë e 10 shtatorit. Të ftuar në këtë ceremoni të përfundimit të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë do të jenë të pranishëm edhe ministra të jashtëm, diplomatë dhe personalitete të tjera nga vendet mike të Kosovës.
 

Më 10 shtator, rreth orës 15:00, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës do të takohet Grupi Ndërkombëtar Drejtues (ISG). Në këtë takim do ta marrin pjesë edhe presidenti Ahtisari, ambasadori Wisner, ambasadori Ischinger, kryeministri Thaçi dhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj. Pas këtij takimi, sipas axhendës, është parashikuar të mbahet edhe një konferencë për mediat, në të cilën do të paraqiten para gazetarëve kryeministri Thaçi, Pieter Faith dhe ish-presidenti Ahtisaari.
 

Po ditën e hënë, më 10 shtator, nga ora 16.30 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të veçantë, në të cilën do të jenë të pranishëm presidenti Ahtisaari, ambasadori Ischinger, ambasadori Wisner, zëvendëskacenalari i ministrisë së Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger, presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi dhe Pieter Feith.
 

Në këtë seancë të veçantë të Kuvendit të Kosovës kryeparlamentari Jakup Krasniqi do t`u drejtohet të pranishmëve me një fjalë rasti. Po ashtu, me fjalime deputetëve të Kuvendit të Kosovës do t`u drejtohen edhe Pieter Feith, presidentja Jahjaga, kryeministri Thaçi, presidenti Ahtisaari, ambasadori Ischinger, ambasadori Wisner dhe zëvendëskancelari i ministrisë së Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger.

Agjenda e 11 shtatorit

Të martën, më 11 shtator, sipas axhendës, është parashikuar një konferencë ndërkombëtare me temën: “Kapitujt e mbyllur në Ballkan”.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Thaçi, Pieter Feith, ish-presidenti Ahtisaari, ambasadori Wisner, ambasadori Ischinger.

Në sesionin e parë të konferencës, me temën “Tranzicioni dhe globalizimi”, do të flasin: ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, ndërsa nëpërmjet videolinkut do të drejtohet me një fjalim edhe ish-presidenti Bill Clinton.

Në sesionin e dytë të kësaj konference fjalën kryesore do ta ketë ish-presidenti Ahtisari. Gjithashtu, në këtë konferencë do ta marrin fjalën edhe përfaqësues të partive të opozitës, etj.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›