E Shtunë, 31 Tetor 2026

"BBC": Papandreu pritet të japë dorëheqjen

Papandreu pritet të takojë Presidentin grek, Karlos Papulias menjëherë pasi të përfundojë takimi urgjent i qeverisë greke. Ai pritet të propozojë një qeveri koalicioni, me në krye ish-bankierin e Bankës Qendrore greke, Lukas Papademos.

“BBC” thotë se Papandreu vetë do të largohet. Qeveria greke u fut në vazhdën e kolapsit pasi shumë ministra thanë se nuk e mbështesin planin e Papandreut për referendum. Kryeministri kishte parashikuar të pyeste popullin grek në referendum lidhur me marrëveshjen e re me Bashkimin Evropian për paketën e ndihmave si dhe nëse dëshirojnë të qëndrojnë në eurozonë apo jo.

Ky zhvillim rrezikon të lërë në hije Samitin e liderëve të G 20-ës që do të fillojë në Kanë të Francës.  Komisioni Evropian ka thënë se nëse Greqia lë Eurozonën, ajo duhet të largohet edhe nga Bashkimi Evropian. “Traktati nuk parashikon një largim të mundshëm nga Eurozona pa një largim nga Bashkimi Evropian”, tha zëdhënësja Karolina Kottova nga Brukseli.

Më herët, kreu i grupit të Eurozonës, Jean-Claude Juncker, tha se planet ishin gati edhe për largimin e Greqisë nga Eurozona. “Jemi absolutisht të përgatitur për këtë situatë”, tha Junker për ZDF-në gjermane.

/Start/Fatjon Prroni/

                                                                                             2011-11-03 13:19
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›