"Emri", Ahmeti fton ndërkombëtarët të ndihmojnë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka pritur sot në takimin e parë zyrtar ambasadoren e Francës në Maqedoni, Laurence Auer.
Gjatë takimit, Ahmeti citohet të ketë thënë se Franca ka luajtur rol vendimtar në sjelljen e paqes në Maqedoni dhe në rajon, dhe se kjo tregon përkushtimin e madh të Francës për vendin tonë.
Bashkëbiseduesit kanë diskutuar rreth aktualiteteve politike në vend dhe në rajon, dhe në këtë kontekst, Auer ka shprehur interesim rreth procesit të integrimeve euroatlantike të Maqedonisë, zgjidhjen e çështjes së emrit dhe rreth marrëdhënieve ndëretnike, transmeton zhurnal.
Ahmeti ka nënvizuar se BDI është i përkushtuar për ta integruar Maqedoninë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke konstatuar se “Ballkani Perëndimor nuk mund të jetë i qetë pa u integruar në NATO dhe në BE, por edhe Evropa nuk mund të jetë me shëndet të plotë pa e integruar Ballkanin”.
“Për ta arritur këtë synim, duhet që sa më parë të zgjidhet çështja e emrit me Greqinë sepse ky kompromis do të mundësojë anëtarësim të menjëhershëm në NATO, proces ky që ka rëndësi gjeopolitike dhe gjeostrategjike”, citohet të ketë thënë Ahmeti.
Ahmeti ka shprehur më pas bindjen se miqtë ndërkombëtarë do të duhet të angazhohen edhe më tej për ta përfunduar rrugën e nisur bashkë drejt Brukselit./Indeksonline/