E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ismail Qemali" në Vlorë, "pro" masterit në Fakultetin e Shkencave Teknike

Në universitetin Ismail Qemali të qytetit të Vlorës, është vendosur të hapet në Fakultetin e Shkencave Teknike, programi i studimit Master i nivelit të parë. Burime nga rektorati i këtij universiteti, bënë të ditur dje se masteri hapet në Operacione industriale dhe navale dhe në përfundim të tij do të lëshohet diplomë Master i nivelit të parë (MNP). Sikundër bën të ditur rektorati, programi i këtij studimi, realizohet me 60 kredite dhe zgjatja normale është një vit. Gjithashtu, konfirmohet se 30, do të jetë kuota e pranimeve në programin e studimit Master i nivelit të parë, në Operacione industriale dhe navale. Studimet do të jenë me kohë të plotë, për vitin akademik 2008-2009. Tarifa vjetore e shkollimit, për studentët, që do të regjistrohen me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, në programin e studimit Master i nivelit të parë, në Operacione industriale dhe navale, do të jetë 100 mijë lekë, u shprehën burimet zyrtare të rektoratit. Universiteti, sipas vendimit që është marrë nga qeveria, shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët që kanë përfunduar të paktën ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë.
Ndërkohë, Ismail Qemali, ka të drejtë të shpërndajë jo më shumë se 70 për qind, për ata, që i kanë përfunduar këto studime pranë këtij universiteti. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë universiteti Ismail Qemali, ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion, me studentët e diplomuar pranë tij. Sakaq, kandidatët që u përkasin shtresave sociale, si të verbrit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentët me aftësi të kufizuar, fëmijët romë apo fëmijët e policëve, të rënë a të plagosur për shkak të detyrës, të të ish-të përndjekurve politikë, që fitojnë të drejtën për të ndjekur këtë program studimi, do të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit, ose vetëm 50 mijë lekë.
Nga ana tjetër, një tjetër mundësi i jepet studentëve që mësojnë rregullisht. Në çdo program studimi Master i nivelit të parë, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit, në vitin akademik pasardhës, - kanë përfunduar burimet nga rektorati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›