Sigurimet Shoqërore në Kavajë, 100 dosje të falsifikuara
Agjencia e Sigurimeve Shoqërore Kavajë, një institucion me rëndësi për komunitetin, nisur nga varësia që secili nga ne ka kur i vjen koha për pension, vazhdon të hasë në parregullsi të shumta me dokumentacionet përkatëse të shtetasve për përfitim pensioni. Parregullsitë e evidentuara, jo vetëm në Kavajë, por në çdo drejtori dhe agjenci sigurimesh në Shqipëri, kanë detyruar Institutin e Sigurimeve Shoqërore të ndërmarrë një aksion të përgjithshëm për të evidentuar parregullsitë dhe vjedhjet e mundshme që shtetas të caktuar kanë kryer nëpërmjet falsifikimeve të dokumenteve për kontribute në punë.
Në Kavajë ky kontroll ka mundur të zbulojë rreth 100 dosje të falsifikuara, ku shtetas të pandërgjegjshëm kanë arritur ti zhvatin për vite me radhë shtetit shuma të konsiderueshme. Afati kohor i dosjeve të përpunuara nga ekspertët e ISSH-së është për periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2006. Vetë drejtuesi i Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore Kavajë, z Avni Çeka, shprehet i shqetësuar për këtë fenomen i cili ka vite që ndodh edhe pse gjithnjë merren masa parandaluese deri në procedime penale. Lidhur me shqetësimin qytetar për veprimin që institucioni i ISSH-së ka ndërmarrë në institucionin që ai drejton, z Çeka sqaron se ai bëhet vetëm për pastrimin e skemës së sigurimeve nga përfituesit e paligjshëm. Të gjitha rastet e praktikave të kryera nga viti 1998 deri në vitin 2006 janë në verifikim, (kohë kur institucioni ka marrë dhe statusin e agjencisë). Është normale sipas z Çeka që shumë dosje të jenë momentalisht të bllokuara për lidhje jo korrekte nga ana e drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore Tiranë të përfitimit të tyre. Pasi janë verifikuar dhe plotësuar imtësisht dokumentacionet përkatëse, pensionisteve u është hapur rrugë ligjore për të përfituar normalisht nga kontributet e derdhura. Pensionet që kanë rezultuar me dokumentacion te falsifikuar janë ndërprerë menjëherë nga grupet e kontrollit të ISSH- së. Nga kontrolli i kryer, shumë persona kanë rezultuar debitorë ndaj shtetit, për rrjedhojë duhet ti kthejnë këtij të fundit paratë e përfituara me mashtrim. Konform ligjeve në fuqi, ku parashikohen raste të përfitimet me metoda mashtruese, dosjet e falsifikuara do ti kalojë organeve të drejtësisë, sikundër ka ndodhur edhe më parë. Dosjet që i kalojnë prokurorisë janë vetëm ato dosje ku është vërtetuar katërcipërisht që shtetasi ka falsifikuar. Z Avni Çeka, shef i Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore Kavajë tregon se numri i dosjeve të bllokuara momentalisht është rreth 100 të tilla. Ai pohon se janë zhbllokuar edhe një sërë dosjesh ku përfituesit kanë fituar gjyqin me ISSH-në. "Në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Tiranë kemi konkluduar se pavarësisht interpretimit të specialistëve të ISSH-së, për rastet në fjalë, shtetasit që kanë dalë fitues nga procesi gjyqësor do ta përfitojnë pensionin duke nisur nga muaji shkurt i 2009- tës", ka bërë të ditur ai.