E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjrokastër, 3 punonjësit e spitalit, padi për penalizim të padrejtë

Nuk dihet fati i 100 mijë lekëve të rinj të akorduar nga shteti për ndërtimin e një paneli për djegien e mbeturinave spitalore. Ndonëse ekziston një ndërtesë për tu përshtatur në vend për djegien e mbeturinave spitalore pranë spitalit rajonal të Gjirokastrës, në të nuk është instaluar ndonjë aparaturë konkrete për djegien e tyre ndonëse lekët janë dhënë për këtë qëllim. Fakti bëhet kompromentues duke ngritur hipoteza të një abuzimi financiar në kushtet e dërgimit të një fondi nga shteti dhe marrjes së lekëve nga ana e një firme që do të merrej me sigurimin e aparaturës që do të zhdukte mbetjet spitalore. Një komision i ngritur pa dijeninë e anëtarëve të tij është rasti më flagrant që hedh hije dyshimi se ku kanë shkuar fondet e dhëna nga shteti për ndërtimin e panelit të mbetjeve spitalore. Tre punonjës të spitalit anëtarë të këtij komisioni, kanë hedhur në gjyq vendimin e drejtorisë së spitalit ku me një vendim të dhënë, kërkon mbajtjen nga rroga mujore e tre punonjësve e shumës prej 50 mijë lekë të rinj për person me pretendimin se kanë qenë anëtarë të komisionit që kishin marrë në dorëzim përfundimin e punimeve të panelit. Roland Karalli, shef i pavijonit kirurgjikal, Arben Kuro nëndrejtor i spitalit të Gjirokastrës dhe Sedat Kotroci, punonjës administrate, kanë hedhur në gjyq vendimin e drejtorisë së spitalit, pasi është i pabazuar në fakte konkrete. Në këtë rast drejtoria e spitalit ka qenë e detyruar të zbatojë vendimin e auditit të brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë që bën fajtor për mungesën e panelit, anëtarët e komisionit. Sipas kirurgut Roland Karalli, ai si dhe kolegu i tij Kuro dhe punonjësi tjetër Kotroci, nuk kanë pasur dijeni të kenë qenë në komisionin e ngritur nga ish- drejtoresha e spitalit Teuta Kalemi sot drejtoreshë në ISKSH rajonale në Gjirokastër. "Ligji nr 8402 ku është mbështetur ngritja e këtij komisioni, nuk bën fjalë për marrje në dorëzim të ambienteve që ndërtohen apo aksesorë të tjera, por ia legjitimon këtë përgjegjësi supervizorit të licensuar nga shteti", shprehet zoti Karalli. Të tre personat që janë të penalizuar për të lënë nga 50 mijë lekë të rinj, pretendojnë se drejtoria e spitalit nuk disponon asnjë lloj dokumenti me firmat e tyre për marrjen në dorëzim të ndërtesës apo aparaturës djegëse nga ana e tyre si anëtarë komisioni pasi nuk kanë pasur as më të voglën dijeni. Për këtë ata bëjnë fajtor auditin e brendshëm të Ministrisë së Shëndetësisë i cili ushtroi këtë kontroll vitin e kaluar ku ka bërë fajtorë ata dhe dy persona të tjerë jo punonjës të spitalit si përgjegjës për këtë ngjarje duke i gjobitur me 250 mijë lek të rinj gjithsej. Ndërkohë në kontrollin e ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ky i fundit ndëshkoi firmën Kallfa që kishte marrë përsipër ndërtimin e panelit të djegies së mbeturinave me shumën e 250 mijë lekëve. Të tre punonjësit e spitalit ngrenë supet për çështjen a ka apo nuk ka panel për djegien e mbeturinave spitali i Gjirokastrës, duke ia faturuar këtë përgjegjësi direkt auditit të Ministrisë së Shëndetësisë. Dje është zhvilluar seanca e parë gjyqësore në Gjykatën e Faktit të Gjirokastrës, e cila ka marrë në shqyrtim ankimimin e Karalliut, Kuros dhe Kotrocit ndaj vendimit të drejtorisë së spitalit të Gjirokastrës që ka kërkuar dëmshpërblim nga ta me 50 mijë lekë për një çështje që kurrë sipas tyre nuk kanë pasur dijeni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›