E Diel, 1 Nëntor 2026

"Jeni ju që duheni gjobitur zoti ministër, jo qytetarët!"

Nuk vonoi shumë dhe ideja e ministrit të Brendshëm, hedhur fillimisht në një debat televiziv për gjoba deri në 300,000 lekë të vjetra (d.m.th., dy paga mujore për të gjithë kundravajtësit), u bë realitet. Forca të shumta policore kapën të gjitha segmentet rrugore të Republikës së Shqipërisë sikur të ishim në gjendje të jashtëzakonshme. Atëherë lind spontane pyetja: "Me ç'të drejtë dhe mbi ç'baza, një ministër urdhëron të pushtohen rrugët e të vendosen gjoba stratosferike mbi shtetasit e vet, ndonëse këta janë më të varfrit në Evropë, vetëm sepse këta nuk kanë ndezur dritat e shkurtra ose nuk kanë vendosur rripin e sigurimit, sikur këta dy elementë të jenë shkaktarët e aksidenteve në rrugët tona?". Jo Zoti Ministër! Janë rrugët ato që vrasin, infrastruktura, Sinjalitika që janë detyrë e shtetit pasi ne i paguajmë taksat. Jeni ju që duheni gjobitur, shteti juaj, pasi ka kohë që nuk është më yni, përkundrazi, është shkaktari kryesor i gjendjes së mjerueshme në të gjitha drejtimet. Sa për kulturë, duhet të dini se janë vendet nordike ato që aplikojnë ndezjen e dritave të shkurtra, për shkak të pranisë së dendur të mjegullës në qytete. Italia, gjeografikisht më afër Shqipërisë, pra me klimë të ngjashme, ka katër vjet që po e zbaton rregullin por vetëm në autostrada.
Ku e keni mjegullën Zoti Ministër? Po autostradën ku e keni sepse ajo Tiranë - Durrës gjithçka mund të quhet, por autostradë jo e jo? Mendoni sikur t'ju gjobisnin juve me dy paga mujore. Si do ta mbanit familjen tuaj ato dy muaj? Nga çfarë lartësie, për të mos thënë nga cili planet e shihni realitetin shqiptar? Është shteti ai që duhet të kryejë detyrën e vet, pasi ne e kemi kryer me kohë tonën. Ne Zoti Ministër i paguajmë taksat, prandaj tani duam rrugë për të qenë. Pastaj, po të doni, nxirrni në rrugë jo vetëm policinë po edhe Ushtrinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›