"Kolonel Zogu", premierë në Skampa
Pas shfaqjes në qytetin Korçës regjisori Alfred Trebicka sjell një tragjikomedi në qytetin e Elbasanit. Tragjikomedia "Kolonel Zogu" me autor shkrimtarin bullgar Hristo Boiçev dhe regji të Alfred Trebickës, do të shfaqet për të parën herë këtë fundjavë në skenën e teatrit "Skampa" në Elbasan. "Kolonel Zogu" është një nga veprat më të njohura jo vetëm në Ballkan e Europë, por dhe më gjerë, ndërsa autori i saj, Boiçev është lauruar me disa çmime prestigjioze në fushat e artit. Regjisori i premierës Alfred Trebicka tregon se vepra është bashkëkohore dhe pavarësisht se autori është bullgar.
"Vepra është sa bullgare, aq dhe ballkanike për fenomenin që trajton; raportet me vetveten dhe komunitetin ndërkombëtar", thekson ai. Sipas regjisorit vepra ka gjuhë metaforike dhe simbolike nëpërmjet personazheve dhe karaktereve konkretë. Simbolizohet tollovia post-komuniste në përgjithësi e vendeve të Ballkanit, dëshira dhe ëndrra e madhe për tu integruar në botën perëndimore të zhvilluar dhe të qytetëruar", tha ndër të tjera ai. Në këtë tragjikomedi trajtohen mënyrat se si kërkohen dhe trajtohet integrimi drejt botës. Më tej regjisori Trebicka tha se kjo vepër ka marrë jetë falë bashkëpunimit mes skenografit Fatbardh Marku dhe aktorëve Romir Zalla, Marin Orhanasi, Erjona Kakeli, Salsano Rrapi, Ledio Lako, Roland Saro etj, me mbështetjen e veçantë të bashkisë së Elbasanit. "Vepra kërkon energji si të karakterit të brendshëm, edhe atij fizik, dhe kjo është një nga arsyet që kjo premierë është ndërtuar me një grup interpretuesish të rinj në moshë", përfundon regjisori Alfred Trebicka.