"Mirënjohja" e fqinjëve
Shtetasit sllavë të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, pak vite më parë përshëndetnin protestën e tajvanezes Chang, gazetares së revoltuar pse Konsullata Greke në Shkup nuk i kishte dhënë vizë koleges së saj maqedone, e cila kishte për detyrë mbulimin e aktiviteteve sportive gjatë Lojërave Olimpike të Athinës 2004. Te revolta e Chang maqedonët panë vetveten, zemërimin që u ish-mbledhur prej vitesh ndërsa pritnin pafund për një vizë greke, për pushime, punë apo biznes.
Ambasada Greke në Shkup, asokohe e drejtuar nga Gianis Ikonomou, pas takimit me ish-ministrin e Jashtëm maqedon, Slobodan Casule, nuk u mjaftua me shkarkimin e zyrtarit të konsullatës greke, por nxiti lehtësime të mëtejshme të dhënies së vizave, duke shtuar personelin dhe duke thjeshtuar procedurat. Maqedonasit i merrnin vizat greke në një copë letër në vend të një vule në pasaportën e tyre, sepse autoritetet greke nuk i njihnin vizat e vendeve të BE-së në pasaportat maqedonase. Kështu kishte rrjedhur diskriminimi grek ndaj maqedonëve, për shkak të luftës së vështirë të Shkupit për të fituar njohjen e emrit nga Greqia, pas shkëputej nga ish-Jugosllavia në vitin 1991. Lufta për emrin vazhdon sërish sepse Greqia e akuzon Maqedoninë se ushqen ambicie territoriale ndaj provincës veriore të Greqisë, e cila ka të njëjtin emër. Shteti helen fillimisht nuk pranoi të njihte fare pavarësinë e fqinjit të saj të vogël, duke vendosur edhe embargo tregtare, e cila u ndërpre në 1995, kur dy vendet nënshkruan një Marrëveshje Mirëkuptimi.
Në fillim të vitit 2008, shtetasve shqiptarë u duhet një "Chang". Pak disa javësh qeveria maqedone do të vendosë në fuqi masat shtrënguese, sipas të cilave, shqiptarëve do t'u duhet ta marrin vizën në Tiranë, kundrejt një garancie pasurore, apo ftese nga mikpritësi, ndërsa deri më sot, këtë vizë e marrin në kufi. Tirana jozyrtare e ka komentuar një hap prapa vendimin e qeverisë maqedone, por ende nuk ka një reagim zyrtar.
Historikisht, qeveritë e Tiranës kanë mbajtur një qëndrim inferior para fqinjit lindor. Kur Greqia bllokoi kufijtë dhe vendosi embargon tregtare ndaj FYROM-it, Shqipëria u hapi Portin e Durrësit maqedonëve. Ky segment ishte shpëtimi për ekonominë e varfër maqedone, por dëmtoi rrugët e Shqipërisë, sepse mallrat tranzitoheshin me trajlerë. Dëmtimi i rrugëve ishte aq problematik për maqedonët, saqë projekti hekurudhor që shkon bashkë me Korridorin 8, Shqipëri-Maqedoni-Bullgari, vlerësohet nga Shkupi zyrtar si shumë ekonomik.
Shqipëria u tregua bujare edhe me emrin. Në shumë dokumente zyrtare të Tiranës, fqinji i vogël emërtohet thjesht Maqedoni, një emër që e ka njohur vetëm SHBA dhe kjo nuk është kaluar pa vënë re nga Greqia, vendi i dytë për nivelin e marrëdhënieve tregtare me Shqipërinë, ku punojnë dhe jetojnë rreth 1 milionë shqiptarë dhe vendi që kontrollon biznese shumë të rëndësishme për Shqipërinë, siç janë telekomunikacioni dhe furnizimi me karburante.
Maqedonia vetëm ka përfituar prej Shqipërisë. Ka përfituar nga përulësia e saj, edhe atëherë kur qindra shqiptarë nga zonat kufitare, si Librazhdi apo Dibra vriteshin në mënyrë makabre edhe në tokën shqiptare prej kufitarëve maqedonas, edhe kur torturoheshin në burgjet e Shkupit. Tirana nuk protestoi as në pranverë 1999, kur dhjetëra-mijëra kosovarë të dëbuar nga Millosheviçi maltrajtoheshin në kampe në veri në Maqedonisë, vetëm pse kërkonin pak ujë dhe një copë bukë. Nuk janë ndier edhe kur Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë vendosi nëntorin e shkuar të hiqte përdorimin e flamurit shqiptar në institucionet ku ka shumicë shqiptare, ashtu siç parasheh Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar për të pranuar shqiptarët e Maqedonisë si element shteformues në ish-Republikën Jugosllave dhe ku ata janë të dytët pas sllavëve maqedonas.
Qeveritë shqiptare nuk kanë bërë as pendesën më të vogël, kur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, tregjet shqiptare u pushtuan prej mallrave maqedone, që kanë çmim të lirë prej mbështetjes buxhetore, përballë fermerëve të telendisur shqiptarë që jo vetëm nuk mbrohen nga politikat e qeverive shqiptare, por shohin me dhimbje se si u kalben prodhimet BIO dhe shiten OMGJ-të e huaja dhe viçat hormonalë.
Megjithatë, qeveritë shqiptare kanë heshtur. Dikur në Samitin e Selanikut, në vitin 2003, u sugjerua se përpara se të arrinin futjen te Marrëveshja "Shengen", vendet e rajonit të arrinin "Shengenin ballkanik". Për këtë ide kanë mbetur pak vende, sepse Rumania dhe Bullgaria janë anëtare të BE-së, megjithëse jo pjesëmarrëse në "Shengen", ku janë tashmë Sllovenia (prej dy javësh) dhe Greqia (prej shumë vitesh).
Qeveritë sërish do të heshtin, megjithëse në kufi mund të vriten prej kufitarëve maqedonë banorët e fshatrave kufitarë që nuk kanë 10 euro për vizën, apo garanci, por duan të shkojnë te të afërmit e tyre të një gjaku matanë. Tregtarët do të rropaten për të kaluar tranzit për në Greqi, apo Turqi, turistët do të zbythen.
Qeveria ndërkohë është shumë e zënë, sepse po proklamon liberalizimin e vizave me BE-në, pas të cilës fshihen shumë pikëpyetje. Shqiptarëve ndërkohë u duhet një "Chang", megjithëse në Shqipëri nuk kemi një qeveritar syptrembur që do të thërriste ambasadorin maqedon në sqarime, e jo më t'i kërkonte liberalizim procedurash.
Së fundi, a nuk është një metodë e bukur, alla-bullgare për t'ua "futur" shqiptarëve. Sepse Shkupi nuk mund ta harrojë se si, pak vite më parë, 20 mijë sllavë maqedonas u konvertuan në bullgarë për një pasaportë shengen dhe pse të mos konvertohen në maqedonë edhe ata shqiptarë që duan një vulë maqedone?