Alarmi i meningjitit, specialistët tregojnë shenjat e sëmundjes
Specialistët e MSH-së tregojnë se janë marrë masa emergjente. Ja si zbulohen shenjat e sëmundjes në shtëpi
Meningjiti ka potencialin të shkaktojë shpërthime epidemike. Pikërisht rastet e fundit të shfaqjes së meningjitit kanë detyruar specialistët e Shëndetit Publik, të këshillojnë dhe të informojnë publikun për rrezikun e kësaj sëmundjeje. Madje specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë shpjeguar shenjat që shfaqen tek i sëmuri i prekur nga meningjiti dhe i bën thirrje publikut, që të paraqiten tek mjeku specialist sapo të vënë re këto shenja. Duke e konsideruar sëmundje të rëndë ngjitëse specialistët pohojnë se në asnjë rast nuk rekomandohet vaksinimi masiv kundër meningjitit. "Meningjiti meningoçoksik është një patologji e rëndë dhe në vendin tonë kemi 10 deri në 15 raste në vit. Frekuenca është e krahasueshme me atë të vendeve të BE",- pohon zëdhënësja për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë, Zhaneta Tomçini.
Shenjat dhe këshilla
Meningokoku ka potencialin të shkaktojë shpërthime epidemike dhe ndaj saj duhet treguar kujdes maksimal. Kështu shprehen specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët pohojnë se kjo sëmundje transmetohet nga njeriu tek njeriu, përmes spërklave dhe sekrecioneve të fytit dhe të hundës (nazofaringeale). Kështu zëdhënësja për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë, Zhaneta Tomçini pohoi dje se, specialistët e Shëndetësisë shpjegojnë të gjitha shenjat që ka kjo sëmundje. "Shenjat më të zakonshme të infektimit të meningjeve nga meningokoku, janë temperaturë e lartë, dhimbje koke e vazhdueshme dhe ngurtësim i qafës",- pohojnë specialistët duke shtuar se kjo sëmundje sjell edhe shenja të tilla, si konfuzion mendor, ndjeshmëri e shtuar ndaj dritës dhe të vjella. Një shenjë karakteristike e infektimit nga meningokoku, po sipas specialistëve, është shfaqja e petekieve që janë njolla të vogla të kuqërremta në lëkurën e trupit. Ndërkohë specialistët shpjegojnë se për të dalluar nëse njollat zbehen nga shtypja, rekomandojnë kryerjen e një teknike të thjeshtë në kushte shtëpie. "Vendosni një gotë qelqi mbi njollën e shfaqur në lëkurë dhe ushtroni pak shtypje. Nëse njolla nuk zhduket, atëherë konsiderojeni petekie dhe në rast se keni ndonjë nga shenjat e mësipërme, dyshoni për meningjit si tek të rriturit, ashtu edhe tek fëmijët",- pohojnë specialistët.
Masat, emergjente
Rastet e meningjitit në fshatin Memlisht apo në zona te tjera të vendit, kanë detyruar strukturat shëndetësore të marrin masa emergjente. Kështu, zëdhënësja për shtyp, Tomçini pohon se menjëherë, autoritetet shëndetësore kanë marrë masat parandaluese duke informuar komunitetin dhe duke u dhënë personave të afërt të familjes medikamentin e rekomanduar në raste të tilla (rifampicinë). "Zona është nën mbikëqyrje epidemiologjike. Theksojmë se në këtë situatë nuk është marrë dhe nuk rekomandohet ndonjë masë e karakterit të karantinës apo çdo lloj mase që kufizon lëvizjen e lirë të qytetarëve",- pohon Tomçini. Ndërkohë ajo bëri të ditur se, në situatën e shfaqjes së rasteve sporadike të meningjitit, vaksinimi në masë ndaj një shkaktari potencial sikurse është Neisseria Meningitidis (meningokoku) nuk rekomandohet.
Kërkoni menjëherë ndihme mjekësore nëse vëreni shenjat e mëposhtme:
Temperaturë e lartë e shoqëruar me:
Dhimbje të fortë dhe të vazhdueshme të kokës, dhe të vjella
Ngurtësim i qafës
Njolla në lëkurë, të cilat nuk zbehen nga shtypja
Paraditen e djeshme, vajza e prekur nga meningjiti u nis drejt Tiranës
Meningjiti, 3-vjeçarja shfaqi përmirësim
GJIROKASTËR- Përmirësimi i gjendjes shëndetësore të vogëlushes së prekur nga meningo-koksemia, ka bërë që mjekët e spitalit rajonal "Omer Nishani" në qytetin e Gjirokastrës, pas kontakteve të vazhdueshme edhe me Ministrinë e Shëndetësisë të vendosnin që Eljana Alinani të transferohej drejt Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare. Pasi ka qëndruar në terapi intensive për gati 24 orë me radhë, 3-vjeçarja nga Delvina ka ruajtur elementët jetësorë, duke bërë që të shtohen shpresat për jetën e saj. "Siç e dini, vajza erdhi në gjendje shumë të rëndë dhe duke parë një përmirësim të lehtë në gjendjen e saj, pas edhe kontakteve të marra me Ministrinë e Shëndetësisë, vendosëm që të transferohej në Tiranë, në reanimacionin e repartit infektiv, ku do t'u nënshtrohet mjekimeve më të specializuara. Kjo, pasi në spitalin tonë nuk ka mjek reanimator për fëmijët dhe as sallë reanimatore në pavionin e Pediatrisë",- është shprehur për mediat, mjeku pediatër Edmond Kotoni, i cili ka ndjekur rastin e vajzës së prekur nga sëmundja e rëndë e meningjitit. Kështu, rreth orës 10.30 të paradites së djeshme, vogëlushja Eljana është nisur drejt QSUT-së në Tiranë, ku është krijuar një ambient enkas për këtë rast, e shoqëruar nga mjekë, si dhe nga prindërit e saj, të cilët me gjithë dyshimet nuk kanë rezultuar të prekur nga kjo sëmundje. Ruajtja e elementëve jetësore ka qenë shtysa më e madhe për të shpresuar për jetën e vogëlushes, ndërsa pritet të shihen reagimet në ditët në vijim.
Depistohen shkollat dhe kopshtet nga frika e sëmundjes. Ishte rast sporadik
Saranda pa specialist për meningjitin
Delvinë- Vajza e infektuar, banuese në lagjen "Lejla Malo", Delvinë, u shtrua fillimisht në spitalin e qytetit të Delvinës për t'u trajtuar. Sipas mjekut epidemiolog, Aleks Prifti, kur gjendja shëndetësore po rëndohej u thirr konsulta e mjekëve, ku u vendos që trevjeçarja të transferohej në Spitalin e Gjirokastrës, pasi Saranda nuk kishte specialistë për sëmundjen e dyshuar të meningjitit. Drejtori i Qendrës Epidemiologjike, Prifti, dje në komunikim me mediat ka bërë me dije se ngjarja është paralajmëruar prej një jave, pasi sipas tij ka pasur informacione që në rajonin e Ballkanit ka sinjale të përhapjes së kësaj sëmundjeje, ndaj edhe u vlerësua maksimalisht gjendja shëndetësore e vajzës nga Delvina. Sipas tij, në të dy shkollat e Delvinës dhe në kopshtet e fëmijëve, janë kryer analizat për rrezikun e përhapjes tek fëmijë të tjerë të kësaj sëmundjeje dhe është arritur në konkluzionin që ky ka qenë një rast i veçantë, që nuk ka të bëjë me vendosjen në gjendje alarmi.
L. Sejdini