E Diel, 1 Nëntor 2026

I liruari i grupit "Kokaina" shiste drogë në lokale nate

Alfred Nanaj riarrestohet për shpërndarje kokaine. U kap së bashku me një 20-vjeçar
TIRANË- Pas gjashtë vitesh në burg, ka fituar lirinë, por pjesëtari i grupit "Kokaina", Alfred Nanaj, i është rikthyer "zanatit" të vjetër. Nanaj është rikthyer sërish në qeli dy ditë më parë, pasi u kap teksa po tentonte të shiste kokainë. Arrestimi i njërit prej ish-anëtarëve të grupit "Kokaina" u krye pas operacionit të koduar "Profesori 3' nga antidroga e policisë së Tiranës. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit bënë të ditur dje se Alfred Nanaj, 38-vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për "prodhim dhe shitje të narkotikëve", pjesëtar në organizatë kriminale dhe Elvis Gjino, 20–vjeç, u kapën në rrugën "Grigor Heba" në Tiranë, në momentin që po dilnin nga banesa për të shpërdarë lëndë narkotike nëpër lokalet e natës. Agjentët e antidrogës kishin siguruar informacione në rrugë operative se Nanaj i ishte rikthyer shitjes së kokainës ndaj edhe kanë nisur hetimet. Për disa ditë me radhë, agjentët kanë mbajtur nën vëzhgim 38-vjeçarin dhe bashkëpunëtorin e tij 20-vjeçar, me qëllim kapjen e tyre me doza kokaine në duar. Kështu, dy ditë më parë, pasi kanë grumbulluar informacione të sakta se dy të dyshuarit do të shpërndanin kokainë nëpër lokale nate, policia ka filluar operacionin e planifikuar më parë. "Profesori 3" u finalizua me arrestimin e Alfred Nanaj, një nga pjesëtarët e liruar të grupit kriminal "Kokaina", teksa do t'iu shiste klientëve në lokale nate kokainë. Burime zyrtare nga policia thanë se në cilësinë e provës materiale të arrestuarve iu sekuestrua 19.6 gramë kokainë, e ndarë dhe ambalazhuar në 22 doza, shuma e parave prej 39 500 lekësh, e përfituar si rezultat i shitjes së lëndës narkotike si dhe dy telefona celularë. Ndërkohë, policia po vazhdon hetimet për të identifikuar dhe kapur të tjerë persona të mundshëm, të implikuar në shitjen e kokainës. Alfred Nanaj u arrestua në shkurt të vitit 2001, sepse akuzohej si pjesëtar i grupit kriminal "Kokaina' bashkë me Sokol Koçiun, Frederik Durdën, Mentor Hadërgjonajn etj. Nanaj u dënua me 6 vite burg dhe u lirua pasi përfundoi dënimin, për t'u arresuar sërish dy ditë më parë, pas një operacioni të seksionit të luftës kundër drogës në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›