ALARMI I VRASJEVE Gjakmarrja dhe Shteti
Diplomati italian Pietro Kuaroni në librin e vet "Valixhja Diplomatike" përshkruan se, kur ra në kontakt për herë të parë me malësorët e Veriut në qytetin e Shkodrës, iu dukën si përfaqësues të shoqërisë mesjetare të viteve 1000. Kjo bindje iu përforcua dhe më tepër kur mësoi për zakonin e gjakmarrjes. Përtej kuriozitetit evropian që çdo i huaj e ka pasi bie në kontakt me topografinë dhe demografinë e Ballkanit, gjë të cilës nuk mund t'i shpëtonte dhe diplomati italian, situata e gjakmarrjes e përshkruar aty duket sikur është e njëjta me atë të ditëve të sotme. Situata e rindezur kohët e fundit me këtë fenomen është vërtetë për t'u shqetësuar dhe kërkon aksion të drejtpërdrejtë për ta ndaluar.
Shqiptarët nuk janë të parët që kanë mes tyre fenomenin e gjakmarrjes. Ky fenomen ka pasur një shpërndarje gjeografike të gjerë në Evropë, duke filluar nga Skocia në Britaninë e Madhe, Korsika në Francë, Kreta e Mani në Greqi etj. Gjithsesi shqiptarët mbeten të vetmit që vazhdojnë ta praktikojnë dhe kjo mbetet "thembra e Akilit" në profilin psikologjik tonin. Nëse zhvillimet e ndryshme kulturoro-politike kanë bërë të mundur që fenomeni në vendet e tjera të zhduket, në Shqipëri , "kuçedra e gjakut ka mbijetuar".
Rishikimi i rivendosjes të dënimit me vdekje nuk është "çelësi magjik", siç besojnë një pjesë e popullsisë. Perspektiva evropiane e Shqipërisë nuk lejon rivendosjen e dënimit me vdekje dhe për këtë nuk duhet të ketë asnjë dyshim. Ashtu si nuk na pëlqen të shikojmë prerje duarsh apo vdekje me gurë "live" nga vendet islamike që i praktikojnë këto dënime, ashtu dhe ikonat që mund të vinë nga Shqipëria me njerëz të ekzekutuar nuk do të mirëpriteshin aspak jo vetëm në opinionin evropian, por edhe në atë të brendshëm. Gjithsesi, para se kjo të jetë një masë jo e këshillueshme nga të huajt, mendoj se ekziston tashmë një opinion i shëndoshë nga ana shoqërisë shqiptare për pranimin e kësaj pjese të legjislacionit evropian.
Anglia dhe Franca, të cilat u hasën me këtë fenomen me dy krahinat e kooptuara brenda shteteve të tyre, u munduan ta zgjidhin nëpërmjet gjithëpërfshirjes së elitave të Skocisë dhe Korsikës, përkatësisht në qeverisjen e shtetit dhe promovimit të kulturës së përgjithshme. Këto masa patën efekt, të paktën për rastin e Skocisë, e cila bas bashkimit u zhvillua kulturalisht duke prodhuar dhe Ilimunizmin Skocez, që kontribuoi shumë në kulturën botërore. Një fije drite mund të vijë në këtë rast, në trajtimin e problemit në vendin tonë. Natyrisht në krijimin dhe promovimin e kulturës së përgjithshme mund të luajë një rol të madh shoqëria civile, e cila fatkeqësisht në Shqipëri vuan nga "elitizmi" (përqendrimi i saj në Tiranë) dhe korrupsioni moral dhe ekonomik. Krahinat tona malore janë nga më të varfrat, me një mungesë totale të qelizave të domosdoshme për një zhvillim kulturor normal siç është shkolla dhe të paktën vatrat kulture. Shkodra, si kryeqendra e Veriut, nuk është në gjendje të rrezatojë kulturë dhe të shërbejë si forcë graviteti për malësitë tona. Shoqatat jo qeveritare në vend që të sponsorizojnë krijimin e këtyre qelizave të domosdoshme për një jetë normale, (d.m.th funksionimin e plotë të tyre me mësues dhe veprimtarë kulturorë me të ardhura të kënaqshme) sponsorizojnë projekte informimi shterpë, të sugjeruara nga çakejtë-intelektualë të Tiranës të babëzitur për para. Duke qenë se duam të ndërtojmë një shoqëri liberale, larg të qenit etatiste, atëherë shfrytëzimi i kapaciteteve intelektuale të vetë zonave, me krijimin e kushteve të domosdoshme për të jetuar dhe pasur një jetë normale, do të ishte një hap i rëndësishëm i organizatave joqeveritare dashamirëse për të kontribuar. Po kështu ç'mitizimi i kulturës së dhunës nëpërmjet ç'himnizimit të traditave të gjakmarrjes të malësisë duke promovuar ato integruese dhe europiane, do të kontribuonin dukshëm në reduktimin e fenomenit. Fatkeqësisht, është vënë re një vlerësim për traditat e vjetra të konsideruara, si puro "shqiptare" por në thelb të prapambetura dhe të pavlera.