"Monstra", Prokuroria bazon akuzat në ngjashmëri provash dhe aludime

Prokuroria në rastin “Monstra” do të mbështesë akuzat e saj në një ekspertizë balistike, e cila ofron ngjashmëri provash por jo dhe provat e vërteta.
Në seancën e sotme, ekspertët kanë njoftuar se 11 gëzhojat nga 21 gjithsej sa ishin gjetur në vendin e vrasjes së pesëfishtë, përshtaten me kalibrin e pushkës, një gëzhojë e së cilës ishte gjetur në vitin 2009, në rastin kur familja Haziri ishte përfshirë në një konflikt të armatosur.
Sipas ekspertizës e cila, si duket, do të jetë dhe “prova” kryesore e Prokurorisë, gëzhojat janë të kalibrit të njëjtë me atë që ishte gjetur katër vite me parë në fshatin Belimbeg, e shkrepur nga një pushkë automatike për të cilën Prokuroria thotë se nuk është gjetur, transmeton Zhurnal.
Mungesa e pushkës dhe aludimi i ngjashmërisë së kalibrit të gëzhojave, i jep procesit gjyqësor një kahe negative për të akuzuarit, duke rritur mundësinë e shpalljes së tyre për fajtorë.
Avokati i të pandehurve, Naser Raufi, ka theksuar se nuk i beson ekspertizës së MPB-së dhe se kërkon një ekspertizë tjetër nga një institucion tjetër.
Avokati ka paralajmëruar gjithashtu se do të kërkojë një ekspertizë ndërkombëtare. /Indeksonline/