"Riverside Drive" rikthen në skenëGazmend Gjokën
TIRANE- Woody Allen rrëfen për Manhatanin e vitit 2003 në Akademinë e Arteve. Komedia e dramaturgut Woody Allen "Riverside Drive", histori e një takimi për marrëdhëniet njerëzore do të vijë në skenën teatrore nën regjinë e Milto Kutalit. Aktorët Gazmend Gjoka, Arben Derhemi dhe Niada Saliasi sollen për publikun mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, një vepër e cila njihet për suksesin e saj në skenat e tjera të botës. Regjisori pohon se është munduar të sjelli një realitet special teatror në skenën e madhe të Akademisë së Arteve, pikërisht nga një prej gjenive të skenës dhe ekranit siç është Woody Allen, me një nga veprat më autobiografike si "Riverside Drive". Komedia është shkruar nga dramaturgu në vitin 2003 dhe sipas regjisorit Kutali ajo i përshtatet çdo mjedisi social dhe gjithkush gjen veten në këtë vepër teatrore. Aktori Arben Derhemi për veprën që u ngjit në skenë ka pohuar se i ka takuar të punojë me një personazh që nuk ngjan me të mëparshmit, ndërsa e ka cilësuar si më të vështirë në realizim nga sa e mendonte. "Është një rol ndryshe nga ata që unë kam realizuar deri më tani në teatër. Është një personazh që përfaqëson një shtresë të madhe amerikanësh. Është si një gjyq që amerikanët i bëjnë vetes, e gjykojnë atë por përsëri bien në ujërat e këtij personazhi, sepse jeta është ndërtuar në këtë mënyrë", - ka deklaruar Derhemi. Më tej aktori ka shtuar se është një personazh i ri për atë, pasi nuk ka interpretuar më parë role të tillë. "Përmes tij shfaqet pjesa e mediokritetit pa të cilën nuk shkon dot përpara shoqëria. Ne e kemi shumë evidente edhe në Shqipëri. Por pavarësisht se ky nuk është modeli që duhet të promovohet, shoqëria nuk bën dot pa të", - u shpreh ai. Aktorja Niada Saliasi e njohur për interpretimet e saj në skenën teatrore dhe në kinematografinë shqiptare ka thënë se ndihet shumë mirë që është pjesëmarrëse në këtë vepër, ndërsa e vlerëson bashkëpunimin me aktorët dhe regjisorin Milto Kutali.
(s.g/balkanWeb)
(s.g/balkanWeb)