Pak vizitorë
Panairi i librit, i organizuar nga Unioni i Botueseve të Kosovë (UBK), i cili është hapur me 3 maj, ka mbledhur me tepër se 80 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi etj. Këto shtëpi botuese u kanë ofruar lexuese rreth një mijë tituj të librave të rinj.
Mirëpo, edhe përkundër kësaj, përfaqësuesit e disa prej shtëpive botuese, që po marrin pjesë në këtë panair, nuk janë të kënaqur me shitjen e librit dhe madje disa prej tyre shprehen skeptik se a do të marrin pjesë në panairin e qershorit, i cili do të organizohet nga Shoqata e Botueseve të Kosovës.
Përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Toena”, Arsim Hashani, u shpreh se organizimi nuk ka qenë i dobët, mirëpo vizitorë ka pasur pak.
Ai tha se në këtë aspekt ka qenë edhe një bllokim nga mediat, sidomos ato elektronike, për arsye se nuk ka pasur një informim sa duhet. Ai shton se ata blerës të pakët më tepër po kërkojnë libra nga letërsia, sidomos romane të Fatos Kongolit, Kadaresë etj. I pyetur se a do të marrin pjesë në panairin e qershorit, i ai u shpreh: “Nuk jemi të sigurt dhe është problem se ky panair ne aspektin ekonomik ka dështuar komplet e gjithashtu edhe ai tjetri ka mundësi të dështojë edhe më tepër”.
Në panairin e sivjetmë po marrin pjesë një numër i madh i shtëpive botuese nga Shqipëria, të cilët do të prezantojnë edhe tituj të rinj për lexuesit. Shtëpia botuese “Onufri” nga Tirana prezantohet kryesisht me veprat e Ismail Kadaresë.
Lidhur me rrjedhën e panairit, përfaqësuesi i Shtëpisë Botuese “Onufri”, Eduard Doka, shprehet: “Natyrisht kënaqësi do të ishte më e madhe nëse do të kishte pasur më tepër pjesëmarrje, mirëpo kënaqësia më e madhe është prezantimi që po e bëjmë me publikun”. Ai shton se nëse e krahasojmë me panairin e vitit të kaluar është një rënie dhe blerësit e pakët që janë kërkojnë libra nga të gjitha llojet, mirëpo librat artistik janë në vend të parë.
Ndërsa përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Faik Konica”, Arbër Rrahmani, shprehet se ne jemi të kënaqur me shitjen e librit dhe ky panair nuk dallon shumë nga panairet e mëparshme. Ai shton se librat më të shitur janë librat historikë, letrar etj. Ai shprehet se do të marrin pjesë në të gjitha panairet që do të organizohen në Kosovë. Kjo shtëpi botuese nga Prishtina në këtë panair po prezantohet me 40 tituj të rinj.
Edhe lexuesit nuk kanë ndonjë qëndrim të veçantë lidhur me organizimin e këtij panairi.
Lidhur me këtë, Arton Zymeri, një vizitor i rregullt i panaireve dhe student në Universitetin e Prishtinës, shprehet se ky panair nuk dallon aspak nga panairet e kaluara. “Unë nuk po shoh ndonjë organizim të mirëfilltë ashtu siç është paralajmëruar nga Unioni i Botueseve”, tha ai. Ai shton se këto libra që janë në këtë panair mund t’i gjesh edhe në ditët tjera. “Ne duhet të përpiqemi që të organizojmë panaire të mirëfillta dhe t’u ofrojmë lexueseve tituj dhe libra të rinj dhe jo të bëjmë gara se kush po organizon panair i pari”, u shpreh Zymeri.
Gjatë këtij panairi përveç disa promovimeve tjera që janë bërë, ajo që është konsideruar si çështja më rëndësishme e këtij panairi ka qenë konferenca shkencore e quajtur “Agim Gjakova në letrat shqip”, e cila është mbajtur me 5 maj, në të cilën kanë marrë pjesë figura të ndryshme nga fusha e artit dhe politikes. Në këtë konferencë, Agim Gjakova u konsiderua si shkrimtari i të dy anëve të kufirit dhe njëri ndër shkrimtarët më të talentuar shqiptar në lëmin e poezisë dhe prozës.