E Diel, 1 Nëntor 2026

"Serbët e Kosovës të tregojnë se çfarë duan!"

Ministri serb i Arsimit e i Shkencës, njëherësh nënkryetar i partisë në pushtet – SPS të Daçiqit, Zharko Obradoviq, e pret me optimizëm ndoshta javën vendimtare për zgjidhjen e krizës politike ndërmjet Beogradit dhe serbëve të Kosovës. Përmes një interviste në të përditshmen e Beogradit, “Novosti”, ai u dërgoi mesazh serbëve në Kosovë se Serbia po bën gjithë ç’është në kufijtë e mundësisë së saj që të zgjidhen tensionet aktuale dhe t’u hapet perspektiva të gjithë qytetarëve.

Duke u shprehur i bindur se do të arrihet marrëveshja me serbët në Kosovë, ai tha se Marrëveshja e Brukselit është zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë moment. Ky është një hap që do të avanconte të drejtat, cilësinë e jetës, por edhe sigurinë e popullit tonë, siç u shpreh ai për serbët e Kosovës.

Pyetjes se çfarë mund të ndodhë nëse Vuçiq nuk i bind serbët e Kosovës të dielën që të zbatojnë Marrëveshjen, ministri Obradoviq iu përgjigj se koha e sanksioneve i mbetet të kaluarës.... “Fatkeqësisht kemi përvoja nga e kaluara kur kemi hedhur poshtë plane të mira, dhe që jemi detyruar më vonë t’i pranojmë zgjidhjet e këqija. Rikujtoj se Qeveria ka propozuar madje edhe referendum me kusht që rezultatet e tij të pranohen, nëse shumica mbështet Marrëveshjen, por kjo s’ishte e pranueshme për serbët e pjesës veriore të Kosovës. Tani objektivisht shtrohet pyetja ç’është për ta e pranueshme dhe që njëherësh të jetë e mirë edhe për gjithë Serbinë? Sepse duhet të kihet kujdes edhe për ardhmërinë e të gjithë qytetarëve tanë, duke përfshirë edhe serbët në jug të Ibrit”, tha Obradoviq.

Ministri serb i Arsimit e i Shkencës iu kundërvu opozitës serbe e cila po kritikon pushtetin aktual se “për status po e jep Kosovën”, duke sqaruar se “gjatë dekadës së shkuar të gjitha qeveritë dhe partitë, kush më shumë e kush më pak, kanë marrë pjesë në ndërtimin e politikës ndaj Kosovës. Sot nëse flasin për veriun e Kosovës, harrojmë se disa gjera janë vendosur qysh më 2004...”/Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›