"Shesheli" shqiptar kërkon bashkim të Shqipërisë me Kosovën

Kreshnik Spahiu, që konsiderohet si "Shesheli shqiptar" dhe kritikues i ashpër i kryeministrit Sali Berisha, pohon se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën paraqet obligim të Qeverisë në Tiranë dhe të gjitha subjekteve politike shqiptare në atë shtet.
Aleanca shqiptare “Kuq e Zi”, ka dorëzuar iniciativën për shpalljen e Referendumit për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, duke filluar grumbullimin e 50 mijë nënshkrimeve të domosdoshme për fillimin e debatit për “krijimin e federatës shqiptare” shkruan gazeta serbe “Kurir”.
Çështja e shpalljes së Referendumit për bashkim të Shqipërisë me Kosovën prej sot ndodhet e deponuar para zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor të Shqipërisë, falë “Aleancës Kuq e Zi”, që konsideron se krijimi i një shteti shqiptar paraqet hap logjik që duhet të ndërmarrin shqiptarët në rrugë drejtë Unionit Evropian.
"Shteti shqiptar duhet të rregullohet si federatë e cila do të përbëhej nga dy njësi dhe si i tillë të bëhet anëtar i UE-së”-ka deklaruar në Tiranë Kreshnik Spahiu, që sipas gazetës serbe, ai është ngushtë i lidhur me Lëvizjen “Vetëvendosje” të Albin Kurtit.
Sipas kësaj gazete, Kreshnik Spahiu konsiderohet si “Shesheli shqiptar” dhe kritikues i ashpër i kryeministrit Sali Berisha dhe pohon se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën paraqet obligim të Qeverisë në Tiranë dhe të gjitha subjekteve politike në këtë shtet.
"Kërkesa për Referendum është rast historik për bashkim të dy shteteve që i takojnë një populli, sepse nuk ekzistojnë kurrfarë pengesa të brendshme ose të jashtme. Ky është hap plotësisht në pajtim dhe konform vlerave elementare të Kombeve të Bashkuara”-ka thënë Kreshnik Spahiu, që e transmeton gazeta.
Kreshnik Spahiu llogaritet si udhëheqës karizmatik dhe egoist i “Aleancës Kuq e Zi”, e cila fillimisht është paraqitur si lëvizje kombëtare e shqiptarëve, ndërsa nga mesi i vitit të kaluar është regjistruar si parti politike, e cila numëron rreth 180 mijë anëtar-përfundon gazeta beogradase “Kurir”./Indeksonline/