Shkurt paqësor
Dje, viktima e radhës. Vetëm dy të vdekur në Tiranë nga aksidentet këtë muaj. Të festojmë
TIRANE – Tirana njohu dje identitetin e viktimës më të fundit të aksidenteve rrugore për muajin shkurt. Ai ishte një 20 vjeçar që thjesht po kalonte rrugën me biçikletë. 20-vjeçari Ylber Mata, lindur në Burrel e banues në Tiranë humbi jetën mëngjesin e ditës së djeshme, rreth orës 08.20, teksa udhëtonte me biçikletë në afërsi të kryqëzimit të rrugës së ”Dibrës” me bulevardin ”Bajram Curri”. Sipas policisë së Tiranës viktima ka qenë duke udhëtuar, kur një autobus me targa ushtrie, shofer i të cilit ka qenë 41-vjeçari Muharrem Elezi, e ka përplasur të riun për vdekje. Po sipas policisë, Elezi, banues në Tiranë, dhe shofer pranë Repartit të Batalionit të Furnizimit në Qafë Mollë, ka përplasur biçiklistin 20- vjecar, i cili ka vdekur menjëherë si rezultat i goditjes së madhe. Edhe pse nuk janë zbardhur ende shkaqet e këtij aksidenti të rëndë nga burime zyrtare mësohet se shoferi i autobusit ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi jashtë normave të caktuara. Mata ishte vetëm viktima e radhës, pasi tashmë aksidentet e rënda rrugore, qoftë edhe në akse qytetëse ku shpejtësia e ecjes pretendohet të jetë e ulët, tashmë janë të fare të zakonshme në Tiranë. Muaji shkurt në qarkun e Tiranës shënoi dy viktima dhe gjashtë të plagosur rëndë, si pasojë e moszbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Viktima e dytë e muajit shkurt, ishte vajza 18-vjeçare që humbi jetën në datën 5, në autostradën Tiranë – Durrës, pasi makina në të cilën ajo ishte pasagjere u përplas me një tjetër automjet si pasojë e shpejtësisë së madhe. E ndërsa numri i të dëmtuarve gjatë aksidenteve vazhdon të jetë i lartë, tetë persona janë arrestuar për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” e katër prej tyre edhe për “largim nga vendi i aksidentit”, pasi menjëherë pas përplasjes kanë braktisur në mes të rrugës personat e dëmtuar e janë larguar nga vendi i ngjarjes. Shkurti ngjan si një muaj gjithsesi paqësor, sepse krahasuar me muajin janar, bilanci i të cilit ishte shumë shqetësues, me 30 aksidente e tetë të vdekur, këtë muaj ka një rënie të numrit të aksidenteve rrugore, për rrjedhojë edhe të të vdekurve dhe plagosurve. Prej dy muajsh, Policia Rrugore ka nisur një fushatë sensibilizimi për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, dhe vendosjen e masave të shumta administrative për mosvënie të rripit të sigurimit, shkeljes së rregullave apo të shoferëve që ngasin makinën në gjendje të pirë. Vetëm javën e parë të shkurtit rrugorët gjobitën 2579 raste të mosvënies së rripit, dhe 5250 masa administrative për shkelje rregullash qarkullimi e përdorim të pijeve alkoolike.