Çrrugë duhet të ndjekin shqiptarët për të nxjerrë Shqipërinë nga ky udhëkryq?
Çrrugë duhet të ndjekin shqiptarët, dhe bashkë me ta Edi Rama, për të nxjerrë vendin nga kjo situatë që e ka vënë fatin e Shqipërisë në një udhëkryq pa krye?
Ndërkombëtarët po heshtnin në lidhje me çfarë po ndodhte tek ne kohët e fundit duke udhëzuar për ulje në tavolinë të opozitës me partinë në pushtet. Opinioni ndërkombëtar e kaloi 21 janarin pothuaj në heshtje kur në të njëjtën kohë me një zhurmë shurdhuese mbulonte protestat në vendet afrikane dhe islamike. Por kohët e fundit ndërkombëtarët po reagojnë disi. Çfarë solli këtë reagim kur 21 janari nuk i preku fare normat e tyre demokratike?
E vetmja rrugë që bota e civilizuar në Europë dhe Amerikë “kupton” është kjo që po ndjek Edi Rama tashti. Rama bëri gjithçka kohët e fundit duke ndjekur rrugën ligjore e për ti treguar ndërkombëtarëve që është i prirur të ndjekë rrugën demokratike të zgjidhjes së ngërçit të zgjedhjeve. Ai tregoi bon sens në ndjekjen e udhëzimeve të dhëna nga përfaqësuesit e BE.
Duke ndjekur këtë rrugë, Edi bëri të mundur heqjen e asaj shtresë demokratike që bota perëndimore i kishte veshur Berishës. Duke ndjekur rrugën ligjore, Rama bëri të mundur zhveshjen e Berishës para syve të vëzhguesve të huaj. Rezultati është pozitiv: ndërkombëtarët po reagojnë. Por lind pyetja, në çfarë shkalle është ky reagim dhe sa forcë kanë të huajt të ndikojnë në ndryshime thelbësore në Shqipëri dhe a po ndihmon ky reagim për zgjidhjen e krizës shqiptare?
Shumë njerëz po shprehin dëshirën që populli duhet të ngrihet në demonstrata paqësore masive duke hedhur hipotezën se I zoti e nxjerr gomarin nga balta. Të gjithë do të binin dakord se ne kemi arritur në një rrugë pa krye dhe ska alternative tjetër duke ditur rrjedhshmërinë e mëparshme të ngjarjeve të politikës shqiptareske.
Nga ana tjetër Edi është përpara një testimi global të dyanshëm. Po testohet para shqiptarëve që e mbështetën në zgjedhje dhe presin nga Rama të procedojë në një mënyrë të caktuar që ata mendojnë se Rama duhet të ndjekë, si dhe para ndërkombëtarëve që presin nga Rama të tregojë nivelin e një politikani perëndimor opozitar dhe të ndjekë të gjitha procedurat ligjore që kërkohen në këtë situate te krijuar. Këto janë dy testime diametralisht të kundërta dhe Rama është në një pozicion delikat dhe kompleks.
Një veprim i gabuar në njërën anë mund ti kushtojë mbështetjen në anën tjetër. Dhe Rama ka nevojë për të dyja mbështetjet: të brendshmen dhe ndërkombëtaren. I duhet mbështetja e popullit për të çuar Shqipërinë drejt një sistemi demokratik të vërtetë, por nuk mund ta bjerë Shqipërinë në nivelin e kërkuar nga BE pa mbështetjen perëndimore dhe pa plotësuar çka Perëndimi quan standarde demokratike për Shqipërinë që të integrohet në BE.
Shumë duan që Rama të veprojë aktivisht dhe ti tregojë dhëmbët pushtetit berishian. Kohët e fundit ai po kritikohet si nga brenda ashtu edhe jashtë partisë së tij. Ai po paraqitet si i butë në sytë e opinionit shqiptar kur situata kërkon zgjidhje drastike.
Çfarë duhet të bëjë Rama në këtë situatë të ndërlikuar kur i kërkohet nga brenda vendit të bëjë diçka ekstreme për të shpëtuar Shqipërinë, dhe nga ana tjetër i kërkohet ndjekja e procedurave ligjore nga komuniteti ndërkombëtar?
Po bëhet e qartë që Edi po i jep mundësi ndërkombëtarëve të pranojnë botërisht se Berisha nuk ka asnjë kockë demokratikë në strukturën e tij gjenetike. Është e qartë që përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e ambasadave perëndimore janë shumë të befasuar nga mosndjekja nga ana e Berishës të rekomandimeve të standardeve ndërkombëtare. Të huajt ishin të bindur që Berisha për sy e faqe do të respektonte procedurat ligjore dhe do pranonte rezultatet e zgjedhjeve. Ata menduan që do ta mundnin Berishën me lojën ku kam çefti të procedurave ligjore. Ata menduan si njerëz të civilizuar që vijnë nga vende me histori të gjatë demokratike ku politikanët respektojnë ligjin edhe kur nuk i vjen për fije. Por fatkeqësisht ata u ndeshën me realitetin e hidhur shqiptar. Berisha e ka luajtur lojën ku kam çefti për njëzet vjet me radhë kaq mirë sa ska njeri ta mundë atë në këtë lojë mijëvjeçare. Përfaqësuesit e huaj po shohin se shpresa e tyre që Berisha do tregonte të paktën një respekt formal ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe te pranonte rezultatet e zgjedhjeve avulluan si flluska sapuni dhe zhgënjimi në anën e tyre është fare i qartë.
Shumëkush mund të reagojë: Sikur se dinë ndërkombëtarët se kush është Sali Berisha? Ë vërtetë, e dinë mirë, por jo në këtë mënyrë kaq zyrtare dhe të hapur si po ndodh tashti. Berisha në këto zgjedhje shpërfilli normat demokratike ndërkombëtare fare haptazi pa ia bërë syri tërr për ndërkombëtarët. Dhe ndërkombëtarëve spo ju pëlqen sfida që vjen nga fytyra e tendosur e Berishës. Më në fund ata po shprehen kundër metodave të ndjekura për të shpallur fituesin për karrigen e famshme e të plotfuqishme të Bashkisë së Tiranës. Atyre nuk po i pëlqen fakti që Berisha i sfidoi ata sy më sy duke shkelur të tëra normat e zgjedhjeve dhe nuk tregoi asnjë vullnet të mirë të ndjekë udhëzimet e tyre për një rrugë ligjore dhe demokratike. N.q.s do ta shohim të gjithë procesin në këtë këndvështrim, atëherë mund të thuhet se Rama arriti diçka me perëndimorët. Por a është kjo e mjaftueshme për fatet e Shqipërisë?
Pyetjes se çfarë do ta shpëtojë Shqipërinë nga kjo lëmsh i ngatërruar në të cilin është sot: Demonstrata masive, apo ndjekja e udhëzimeve ndërkombëtare për të vazhduar rrugën ligjore, është pak vështirë ti përgjigjesh në këtë moment.
Mbase të dyja. Mbase, kur të jetë ezauruar rruga ligjore dhe ti jetë treguar botës së civilizuar perëndimore që s’ka zgjidhje tjetër pos demonstrim i popullit, demonstratat masive pa ndërprerje do të jenë rruga e vetme për ta bërë këtë klikë, (nuk mund të quhet më qeveri se nuk po funksionon më si e tillë) që po e kthen Shqipërinë në një çiflig personal dhe që po e shkatërron këtë komb, të japë dorëheqjen.
Ana tjetër e medaljes e kësaj situate është që shqiptarët po tregojnë shenja lodhjeje, dhe mund të mos i përgjigjen një thirrjeje të vonuar për demonstrim paqësor të gjatë n.q.s koha rrjedh dhe ujërat qetësohen.
Duhet Edi të bëjë thirrje për revoltë popullore nëpërmjet një demonstrimi paqësor të pandërprerë apo populli duhet të dalë vetë në rrugë e të protestojë?
Këto janë pyetje që shumëkush po i bën më zë të lartë, pyetje që po shtjellohen në mendjet e njerëzve apo që sillen nëpër biseda kafenesh apo në familje, dhe mëdyshja se cila është rruga më e drejtë dhe më efikase për ta shpëtuar Shqipërinë në këtë moment po mbetet pezull mbi kokat e shqiptarëve që në një anë debatojnë me njëri- tjetrin me gjak të nxehur dhe në anën tjetër me pasivitet sikur flasin për një komb tjetër.
Dilema e shoqërisë shqiptare po vazhdon si një sëmundje e gjatë njëzetvjeçare pa shërim, me një diagnozë të mirënjohur që spo i gjendet asnjë kurë, fenomeni Berisha, që si një virus i keq i ka hyrë shoqërisë shqiptare në tru dhe po e kthen këtë komb të bukur, inteligjent, dhe kaq të pasur në një vend epileptik të varfër dhe po e sjell kombin në një gjendje lëngimi të gjatë që as një ndërhyrje e ardhshme kirurgjikale sdo të jetë në gjendje ta shërojë.
