E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llalla: Po hetojmë zyrtarët me pasuri jashtë vendit

11/06/2011  Deklarata e kreut të ILDKP-së

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive po heton edhe mbi zyrtarët, pasuritë e të cilëve mund të jenë shpërndarë në banka të ndryshme jashtë territorit të Shqipërisë. Në një prononcim të djeshëm kreu ILDKP-së, Adriatik Llalla, në lidhje me këtë shqetësim u kërkoi ndihmë edhe përfaqësuesve të misionit policor të Bashkimit Europian në lidhje me gjetjen dhe konfiskimin e pasurive të fshehura të zyrtarëve shqiptarë, që sipas tij dyshohet të jenë depozituar jashtë vendit. Duke u shfaqur i rezervuar sa i përket publikimit të emrave, Llalla theksoi se ka dyshime serioze për zyrtarë të të gjitha niveleve. “Janë disa raste në proces verifikimi, përfshirë këtu zyrtarë të niveleve të ndryshme”, - u shpreh Llalla. Inspektorati i verifikimit të pasurive ka konstatuar raste konkrete të fshehjes së pasurive të zyrtarëve jashtë vendit dhe për këtë ka nisur hetimin e tyre me mbështetjen e Misionit të Asistencës Policore të BE-së (PAMECA). “Kryerja verifikimesh të mëtejshme apo hetim i këtyre pasurive është i nevojshëm, por njëkohësisht është një proces pune që paraqet vështirësi. Për këtë arsye është kërkuar ndërmjetësimi dhe mbështetja e misionit “PAMECA” për kryerjen e verifikimeve jashtë territorit të Shqipërisë. Konkretisht, këto verifikime aktualisht kanë filluar me analizimin e disa rasteve konkrete në bashkëpunim me ekspertët e këtij misioni që ekzistojnë pranë institucionit tonë”, - tha dje Adriatik Llalla. Ndërsa Bashkimi Europian me anë të ambasadorit të saj në vendin tonë Etore Sekui i kërkoi dje Shqipërisë që të shtojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ta shohë këtë si një përpjekje të pandalshme në rrugën e zhvillimit. Ambasadori Sekui deklaroi se goditja e kriminalitetit është pjesë e detyrave që Tirana zyrtare duhet të kryejë deri në muajin nëntor për të marrë statusin e kandidatit. Këto komente u bënë në një takim me drejtues të Ministrisë së Brendshme, ku u njoftua se Misioni Europian i Asistencës Policore (PAMECA) zgjati për herë të tretë mandatin e qëndrimit në Shqipëri për të ndihmuar forcimin dhe reformimin e forcave shqiptare të rendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›