Është Jonathan Franzen "romancieri më i madh amerikan"?

Numërohen me gishtat e dorës shkrimtarët që e kanë pasur këtë nder, apo këtë privilegj, që t'iu kushtohet një kopertinë e të përjavshmes amerikane "Time Magazine" (3 360 135 kopje në javë). Pas J.D. Salinger (1961), Vladimir Nabokov (1969), Günter Grass (1970), John Updike (1968 et 1982), George Orwell (1983), Tom Wolfe (1998), Toni Morrisson (1998), është radha e Jonathan Franzen, autor i "The Corrections".
Kishte dhjetë vjet që kjo s'kishte ndodhur me ndonjë shkrimtar të gjallë amerikan. Qysh prej Stephen King-ut në vitin 2000.
A është me të vërtetë Franzen "shkrimtari i madh amerikan" shpallur në kopertinën e revistës, shprehje me të cilën skicohej dikur Faulkner, Steinbeck dhe Hemingway? Ose më mirë akoma, ashtu si saktësohet në artikull, si "romancieri i letërsisë amerikane", një kategori që i fut në mendime ata që nuk i përkasin?
Në moshën 51-vjeçare, me gjashtë libra të botuar, ka nxjerrë në dritë madje edhe kujtimet ("The discomfort zone"), duket pak si herët. Por nuk mund të jetë dhe aq i çuditshëm promovimi i kësaj shenje të mirëpritur, meqenëse "Freedom", romani i tij ri që tregon shpërbërjen e një familje, del këto ditë në anglisht te Farrar, Strauss & Giroux.
Ai nuk kishte botuar asgjë qysh nga "The corrections" më 2001, që pati një sukses të jashtëzakonshëm në SHBA (u vlerësua me National Book Award) po edhe në Evropë. Bazuar në këtë roman Robert Zemeckis bëri një përshtatje kinematografike. Edhe kritika franceze ka qenë unanime në lëvdatat që i ka dhënë veprës, sigurisht me ndonjë përjashtim.
Në artikullin prej 6 faqesh që i ka kushtuar në "Time", Lev Grossman thotë se Jonathan Franzen nuk është shkrimtari më i pasur amerikan dhe as më i famshmi por e sheh atë si më ambiciozin dhe një ndër më të mirët. Në fund të fundit, për një njujorkez që thotë se frymëzohet nga "Manastiri i Parmës", nuk do të ishte dhe aq keq.