Mercenarët e dreqit të mallkuar!
Emri mercenarë i pershkruan nga prejardhja të gjithë ata që afrojnë ndonjë shërbim ne kundërshpërblim-pagesë. Mercenarius vjen nga latinishtja, rrjedh nga fjala merces – rrogë, pagë, pagesë. Një mercenar është një luftëtar i huaj në një konflikt të huaj; “i rekrutuar në shtetet e huaja” dhe i cili “merr pjesë drejtpërdrejt në një armiqësi”. Ky luftëtar duhet të ketë “përparësitë vetjake” që të marrë pjesë ne atë konflikt apo atë luftë duke qenë “shumë mirë i paguar, bile shumë më mirë” sesa të obliguarit e asaj lufte apo konflikti. Një mercenar është një luftëtar i zanatit të luftës i rekrutuar me para nga një Shtet, një ndërmarrje apo ndonjë lëvizje politike në mënyrë të ligjshme apo jo, jashtë sistemit të rregullt të ndonjë vendi. “FBI e zbulon një shqiptar terrorist që po përgatiste sulme në Florida, lajmëruan agjencitë botërore. Shokuese! Tmerr! Kulmi i papërgjegjësisë kombëtare shqiptare! Shqiptari terrorist, shqiptari mercenar. “Policia amerikane ka arrestuar një shtetas amerikan me kombësi shqiptare, i cili po përgatiste një sulm terrorist me bombë në Tampa në Florida. Agjentët e FBI-së kishin arritur të zbulonin se Sami Osmakaç, 25 vjeç me origjinë nga Kosova, kishte shprehur interes për flamuj dhe material të tjera të Al- Kaedës. Gjithashtu ata zbuluan se i riu shqiptar kërkonte që të blinte një armë të tipit AK-47, një sasi fishekësh, granada, etj”. “Sipas të dhënave të policisë, Osmakaç ka xhiruar edhe një video, në të cilën shpjegon motivet që e detyronin të kryente sulmet. Sipas FBI-së janë dhe dy shqiptarë të tjerë të implikuar në ngjarje, një nga Mali Zi dhe një nga Kosova”.
Po, për kë? Po, për çka? Për cilin atdhe?
Përditë e më tepër po jemi dëshmitarë të një dukurie e cila na bën që si komb të jemi më largë botës së civilizuar. Jo pse ata na largojnë, por ne po ia kërkojmë vetes këtë largim nga e vërteta pa të drejtë ankese dhe pa të drejtë arsyetimi ndaj brezave që do të vijnë. “Shërbimi i mercenarëve në përgjithësi kërkon njerëz të aftë qoft për një operacion ushtarak dhe për një kohëgjatësi të kufizuar, qoftë për një tip të shërbimit të specializuar. Kohëzgjatja e angazhimit është e karakterit të përkohshëm ose të përjetshëm”.
Pse jemi aq të lehtë, që të rekrutohemi? Për kë? Kush po na rekruton? Çfarë lakmije e dreqit të mallkuar, na shtyn që të lidhemi më forcat më të errëta e më të urryera të botës? Ku janë fajet? Duhet të dihet një gjë. Krejt propaganda fetare është në duart e Serbisë. Të vetëdijshëm apo jo, me para apo pa to, të gjithë jemi në kurthin e atyre që të ardhmen tonë e shohin ndryshe e jo ashtu se si e duam ne. Ne vetëm jemi duke i shkuar mbrapa një të papriture e cila do të na kushtojë shumë shtrenjtë. Brezat kanë për të na mallkuar. Më 8 Korrik 1977, Konventa e Gjenevës ratifikoi definicionin (përkufizimin) e një mercenari (neni 47): “Mercenari nuk e ka te drejtën e një luftëtari apo të një të burgosuri të luftës”. Përgjithësisht termi mercenar e ka një konotacion shumë negativ për shkak se motivimi për këtë mënyrë të luftës për të huaj e nxitë paraja. Të jesh mercenar duhet të jesh edhe nga zemra i prishur. Vrasës. Në rastin tonë vrasës i ardhmërisë sonë. Mercenarët janë vegla për kompletimin e një kauze të huaj. Kjo kauzë, kauzë e mercenarëve tonë, që aspak nuk është në nderin e kombit e as të familjes së tyre e as të atyre që janë kyçur në te, nuk është rastësi, për këtë janë bërë përgatitjet që moti. Është dijtur se lufta do të fitohet, është ditur se Kosova do të jetë e pavarur, e mu për këtë kanë pas filluar përgatitjet nga ana e humbësit (në bashkëpunim me dashamirët tonë që na njofin shumë mirë) që luftën tonë, herët a vonë ta qesim në errësirë; herët a vonë ta njollosim me njollat më të shëmtuara, dhe këtë shkatërrim të mundit tonë qindravjeçar, dhe ndihmës historike të botës së civilizuar të bëjnë me njerëzit tonë. Po, po me njerëzit tanë.
Ku janë intelektualët që nuk flasin? Pse janë pseudointelektualët (intelektualët e rrejshëm) aq të zëshëm në mohimin e çdo gjëje që vlen? Vallë, çfarë lloji i mbinjeriut janë ata që kënaqen duke na ngrehur zvarrë në errësirën e ë së kaluarës tragjike? Mercenar është edhe ai që me shkrimet dhe paraqitjet e tij publike lufton për kauzën e tjetërkujt. Ai merr pjesë në një armiqësi, për të përfituar më shumë materialisht. Heu mos kofshin! Kush po i ndjell këta mercenarë të së keqes që t`i qesin hije të keqe e të pashlyeshme tërë kombit? Kush krekoset me shkrimet e tij duke ne ndarë identitetin tonë? Kush njollos figurat e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Nënës Tereze vetëm e vetëm të njollosë kombin, historinë, arritjet dhe më e keqja, të na lërë pa ardhmëri? Të dalësh në anën e kurrkujt për një grusht parash, apo nga një infeksion patogjen të shpëlarjes së trurit, i përngjan mercenarit të hapësirës (film vizatimor), me dëshirë e i bindur në agjësimin e Planetit X, diku larg, në Galaktikën e Don Kishotit. Mercenarët (henchmen) janë vegla të pa vlera, që nuk i dhimbsen as dreqit, e që shërbejnë vetëm për të kryer detyrën e dhënë, e pastaj nëse mbijetojnë mbyten nga vetë paguesi. Ata kanë uniformë të cilën duhen bartur, ata kanë ide qe shkon përtej shpirtit të predikuar nga vetë zoti i tyre. Nuk jemi ne ata e as që na takon neve të bëhemi pjesë e xhihadave. Le t`i mbajnë ata, ato xhihade përveti se e kemi tokën tonë e cila ka nevojë më shumë se kurrë për ne.
Marrë nga “zemrashqiptare.net”