Është koha që shqiptarët të shikojnë me besim drejt BE

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle
Ndërkohë që rezultati zgjedhor është drejt përfundimit, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Füle kërkon nga forcat politike avancimin e reformave të integrimit, për t’i dhënë vendit, siç thotë ai, vrullin e nevojshëm. “Tetë vitet e kaluara kanë qenë një periudhë e reformave të rëndësishme dhe të rritjes ekonomike. Shqipëria ka arritur progres të qëndrueshëm në rrugën e integrimit evropian. Liberalizimi i vizave, si dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për statusin e kandidatit janë dëshmi për këtë”. Duke vlerësuar edhe deklaratën e kryeministrit Berisha për njohjen e rezultatit, Fule thekson se “tani më shumë se kurrë bashkëpunimi ndërpartiak është i nevojshëm për të siguruar një tranzicion të qetë të pushteti. Njoftimi i kryeministrit Berisha, për pranimin e rezultatit, është një hap i rëndësishëm drejt këtij qëllimi”. Në përfundim ai vlerëson se vendi ka përpara sfida të mëdha, të cilat do të kërkojnë vëmendje të menjëhershme. “Kjo është pra koha që shqiptarët të shikojnë me besim, të bashkuar, drejt të ardhmes së tyre evropiane”, shprehet Fule.