Aksidentet me vdekje, pranga dy shoferëve
TIRANE - Prangosen dy drejtues mjetesh për aksidente me pasojë vdekjen. Policia e Tiranës pohoi dje zyrtarisht se efektivët e komisariatit të Kavajës kanë vënë në pranga në flagrancë shtetasin 58-vjeçar Milto Prençe, lindur dhe banues në Lushnjë. Sipas policisë, arrestimi i tij u krye sepse dy ditë më parë në superstradën Peqin-Rrogozhinë, në fshatin Sinaballaj, automjeti tip "Benz 2500" me targa PE 2498 A, drejtuar nga 23-vjeçari Taulant Jonuzi, nga qyteti i Peqinit, ka humbur kontrollin në drejtim të mjetit dhe ka bërë një rrotullim në rrugë dhe është përplasur në pjesën e përparme me autobusin tip "Benz 302", me targa LU 7105 B, drejtuar nga i arrestuari Prençe. Autobusi lëvizte në korsinë e tij, dhe për pasojë të kësaj përplasje ka gjetur vdekjen 23-vjeçari Jonuzi dhe janë dëmtuar pasagjerët e autoveturës, Klodian Krifa, 18 vjeç dhe Andi Koni, 21 vjeç, të dy nga Peqini, të cilët ndodhen të shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë jashtë rrezikut për jetën. Po kështu, mesditën e së premtes në kryeqytet u prangos nga seksioni i hetimit të aksidenteve 40-vjeçari Gjon Gjoka, banues në Tiranë. Ky u prangos pasi dyshohet se duke drejtuar mjetin tip "Volvo" me targa TR 5488 L, në rrugën e Durrësit ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin Bashkim Haxhi, 75 vjeç, banues në Tiranë. Ndaj Gjokës është ngritur akuza e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". f.m.