E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çuditë e pas zgjedhjeve të 23 qershorit

Nga Alfred Peza

alfred pezaMë bëjnë çudi disa gjëra që po ndodhin pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
- Asnjë analizë e thellë, serioze, profesionale, e paanshme dhe shteruese nuk është bërë për shkaqet e humbjes së thellë të PD në zgjedhje dhe për pozicionin e Sali Berishës pas kësaj.
- Asnjë media nuk merret me faktin se Sali Berisha kishte premtuar se do të dilte në pension duke u tërhequr nga politika nëse do humbiste. Ndërkohë që do të jetë deputet në Parlament dhe po udhëheq zgjedhjen e pasardhësit të tij në krye të PD.
- Askush nuk po merret në media me faktin se përse për të bërë edhe një konkurs poezie apo pikture në shkolla duhen disa muaj dhe për të zgjedhur kreun e ri të partisë më të madhe të opozitës së re, gjithçka po bëhet me shpejtësi skëterrë brenda tri javësh.
- Mediat televizive shqiptare janë në krizë të thellë profesionale. Sheh në ekran gazetarë të dorës së fundit që njihen si militantë të dorës së parë të partive politike.
- Mediat pro qeverisë janë rreshtuar hapur PRO Lulzim Bashës në garën që ai ka me Sokol Olldashin për pasuesin e Sali Berishës në krye të PD. Kaq mjafton për të kuptuar se kë do familja Berisha që të jetë pasardhësi dhe se si do të jetë fundi i garës më 22 korrik.
- Si ka mundësi që mediat nuk po merren me Lulzim Bashën, i cili është totalisht në kundërshtim të plotë në garën për kreun e PD, me filozofinë që çoi në krye të Bashkisë së Tiranës. Filozofi ku ai deklaronte se qytetari është i pari. Duke iu kundërvënë faktit se Rama në atë kohë ishte edhe Kryetar i Bashkisë së kryeqytetit dhe në krye të PS, duke i kërkuar që të qëndrojë vetëm mbi një kolltuk. Basha sot, të paktën duhet të jetë i ndershëm të pranojë se është një kopjac i pacipë i skemës së Edi Ramës për tu ngjitur në krye të partisë më të madhe të opozitës në Shqipëri.
- I vetmi lajm që prodhon gara për kreun e ri të PD, është fakti se pas largimit të dy figurave më të rëndësishme politike të tranzicionit në Shqipëri, Fatos Nano më 2005 dhe Sali Berishës më 2013, për herë të parë pas 1990, në krye të partive kryesore politike do të jenë politikanë të brezit të ri të post komunizmit: Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha ose Sokol Olldashi. Përfaqësues të një brezi 40 vjeçarësh, që janë formësuar në jetë dhe në politikë pas rrëzimit të Murit të Berlinit.
- Lajmi i mirë për demokratët është që do kenë një kryetar të ri partie pas humbjes tronditëse në zgjedhjet e 23 qershorit. Por, lajmi i keq për ta është se ky proces, po fsheh qelbin e madh të plagës së humbjes. Çka bën të kuptosh dhe besosh se PD, do të dojë kohë shumë të gjatë për ta rimarrë veten dhe për të qenë gati për të marrë sërish përgjegjësi qeverisëse në Shqipëri. Ky është një lajm i keq edhe për të gjithë shqiptarët, sistemin tonë demokratik dhe frymën pluraliste në vend.
- Për mazhorancën e re qeverisëse këto dy muaj deri në krijimin e qeverisë se re në fillim të shtatorit, nuk duhet të ketë asnjë minutë pushim. Çdo boshllëk që krijohet është në dëmin e qeverisjes së ardhshme dhe në dobi të opozitës së re, e cila po kërkon të riorganizohet dhe të rikuperojë me shpejtësi dëmet e cunamit elektoral të 23 qershorit, kundër qeverisë Berisha.
- Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, Sali Berisha nuk ka ikur nga politika aktive dhe nuk ka për të ikur asnjëherë. Ai do të jetë aty, sa të jetë gjallë. Ai nuk ka jetë më imunitet dhe pa mandat deputeti. Nuk jeton dot vitet e pleqërisë si një qytetar i thjeshtë. Siç bëri Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Sabri Godo, etj. Do ta kemi aty, për një kohë të gjatë. Si një gozhdë të ndryshkur në trutë e shoqërisë shqiptare. Ndaj, duhet të bëjmë sa më shpejt tetanozin demokratik, gjithë qytetarëve. Qeverisja e mazhorancës së re, duhet të jetë qeverisja më e mirë e historisë së Shqipërisë, duke bërë në 4 vjet, atë që Sali Berisha nuk bëri dot në 23 vjet. Vetëm kështu do të imunizojmë trupin e sëmurë të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri, nga Berishizmi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›