E Diel, 1 Nëntor 2026

14 Marsi, festa që shënon ardhjen e pranverës, shqiptarët festojnë Ditën e Verës me tradita dhe ballokume

Çdo vit më 14 mars shqiptarët festojnë Ditën e Verës, një festë me origjinë të lashtë që i kushtohet natyrës, gjelbërimit dhe ardhjes së pranverës. Kjo ditë simbolizon ringjalljen e jetës dhe bukurinë e natyrës.

Shenja më karakteristike e kësaj feste është përgatitja e ballokumeve, një ëmbëlsirë tradicionale që lidhet veçanërisht me qytetin e Elbasanit. Në të kaluarën, në shumë zona të vendit ndiznin zjarre në oborre dhe kopshte si rite pastruese për t’i dhënë forcë diellit dhe për të larguar të keqen.

Sipas traditës, më 13 mars njerëzit merrnin një tufë bari të njomë me rrënjë dhe dhe, për ta vendosur në shtëpi në mëngjesin e 14 marsit, si shenjë e begatisë dhe e jetës së re.

Edhe pse festimet janë ruajtur më fort në qytetin e Elbasanit, Dita e Verës konsiderohet një festë mbarë shqiptare dhe kremtohet në shumë krahina të vendit me zakone të ndryshme. Kjo festë lidhet me një kalendar të lashtë, sipas të cilit 1 marsi i kalendarit Julian shënonte fillimin e vitit të ri, që përkon me 14 marsin sipas kalendarit Gregorian.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›