E Martë, 3 Nëntor 2026

2 mungesa tek Kombëtarja për sfidën ndaj Letonisë, Silvinjo pritet të ndryshojë formacion

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Trajneri i Kombëtares, Silvinjo pritet të bëjë disa ndryshime në formacion për ndeshjen e sotme ndaj Letonisë, në krahasim me sfidën e së shtunës ndaj Serbisë.

Për ndeshjen e Rigës, Silvinjo nuk do ketë të gatshëm dy qendërmbrojtësit, Berat Gjimshiti për shkak të pezullimit për kartona dhe Arlind Ajetit për shkak të një lëndimi muskulor në kofshën e majtë. Të dy ishin titullarë kundër Serbisë.

Veç tyre, trajneri ka lënë në tribunë sërish portierin Mario Dajsinani dhe mesfushorin Adrion Pajaziti. Ndërkohë me grupin janë bashkuar Adrian Bajrami dhe Medon Berisha.

Për shkak se vetëm tre ditë më parë kuqezinjtë shpenzuan energji në barazimin 0-0 kundër Serbisë, Silvinjo po mendon për disa ndryshime.

Me Gjimshitin dhe Ajetin që mungojnë, qendra e prapavijës do t’i besohet Ismajlit dhe Kumbullës, ndërsa balotazh ka edhe për fashën e djathtë të mbrojtjes, ku Balliu pret një shans, edhe pse Hysaj ishte lojtari më i mirë i kuqezinjve kundër Serbisë.

Dilemë ka edhe për mesin e fushës dhe qendrën e sulmit, ku Bajrami dhe Daku kërkojnë një fanellë titullari. Nisur edhe nga kundërshtari dhe fakti se kuqezinjtë do të zhvillojnë lojë sulmuese, sot priten ndryshime nga Silvinjo.

Shqipëria do të luajë mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në “Skonto Stadium” Riga ndaj Letonisë ndeshjen e katërt në Grupin K kualifikues të Botërorit 2026.

Formacioni i mundshëm:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj (Balliu), Ismajli, Kumbulla, Mitaj; Asllani, Shehu, Bajrami (Laçi); Hoxha (Muçi), Broja, Manaj (Daku) Trajner: Silvinjo

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›