E Hënë, 2 Nëntor 2026

30 vjet anëtarësim në KiE dhe “Venecia”, Sallahu: Vetingu është dera drejt një drejtësie të ndershme dhe të përgjegjshme

Ministri i Drejtësisë në detyrë i Kosovës, Blerim Sallahu, mori pjesë në konferencën “30 vite partneritet dhe progres”, ku u trajtuan marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit të Venecias, si dhe sfidat e reformës në drejtësi.

Ai e vlerësoi konferencën si “një moment kyç për të diskutuar thellësisht mbi raportin me Komisionin e Venecias dhe rrugën e reformimit të sistemit të drejtësisë”.

Në fjalën e tij, ai theksoi se vettingu nuk është thjesht një procedurë administrative për të verifikuar pasurinë apo integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por një proces më i thellë.

“Vettingu është një akt i thellë i pastrimit, një përpjekje për të rritur besimin e qytetarëve në shtetin e së drejtës”, tha Sallahu.

Duke cituar filozofin francez Montesquieu, ai shtoi se “Një gjë nuk është e drejtë sepse është ligj, por duhet të jetë ligj sepse është e drejtë”.

Sipas tij, për të pasur të drejta, duhet të kemi njerëz të drejtë që i zbatojnë ato.

Ministri Sallahu vuri në dukje se vettingu ka ekspozuar plagët e sistemit gjyqësor, përfshirë konfliktin e interesit, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë.

Ai solli në vëmendje edhe fjalët e Vojslav Havel: “Shpresa nuk është bindja se diçka do të shkojë mirë, por siguria që diçka ka kuptim, pavarësisht se si përfundon”.

“Vettingu ka kuptim sepse është një përpjekje për të ndarë të drejtën nga e padrejta, për të ndarë shërbimin publik nga përfitimi personal”, u shpreh ai, duke iu përgjigjur kritikave se procesi ka krijuar boshllëk në sistemin e drejtësisë. “Ka nga ata që thonë se vettingu ka sjellë një boshllëk në sistemin e drejtësisë, por më mirë një boshllëk i përkohshëm sesa një drejtësi e kalbur”, tha Sallahu.

Në përmbyllje, ai nënvizoi nevojën për një drejtësi që nuk i shërben pushtetit, por të drejtës.

 “Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për një drejtësi që nuk trembet nga e vërteta, për një drejtësi që nuk është e verbër ndaj padrejtësisë, por e ndjeshme ndaj dhembjes së qytetarëve”, tha ai. “Vettingu është dera që hapet për një sistem të ri, të ndershëm dhe të përgjegjshëm.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›