300 mace të rrugës do të sterilizohen falas në Shkodër

SHKODËR, 11 mars /ATSH/ Një iniciativë në mbështetje të kafshëve të rrugës po zhvillohet në Shkodër, ku parashikohet sterilizimi falas i 300 maceve të komunitetit. Projekti realizohet nga organizata “Animals Need Me”, me mbështetjen e Fondacionit Brigitte Bardot.
Ekipi i organizatës del çdo ditë në terren për të kapur macet e rrugës dhe për t’i dërguar në klinikën veterinare për sterilizim. Pas rikuperimit, kafshët rikthehen sërish në territorin e tyre.
Sipas organizatorëve, sterilizimi është një nga mënyrat më efektive për të ulur numrin e kafshëve të rrugës dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre.
Qytetarët që kanë mace në zonën e tyre dhe kanë nevojë për sterilizim mund të kontaktojnë në numrin: +355 69 555 5625.