E Diel, 1 Nëntor 2026

35-vjetori i PS-së, Rama: Faleminderit, vetëm përpara


TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Partia Socialiste festoi sot 35-vjetorin e krijimit të saj në një aktivitet të zhvilluar në sheshin “Italia” në Tiranë, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste.

Në përfundim të aktivitetit, Rama publikoi në rrjetet sociale një video nga takimi, duke e shoqëruar me mesazhin: Faleminderit vetëm përpara.

Më herët, në fjalimin para mbështetësve, Rama u ndal te debatet e ditëve të fundit lidhur me investimet e propozuara në zonat e Zvërnecit dhe Sazanit, duke i konsideruar ato pjesë të projekteve që synojnë zhvillimin turistik dhe ekonomik të vendit.

Ai theksoi se këto nisma po shoqërohen me diskutime publike, por sipas tij, duhet të vlerësohen mbi bazën e interesit afatgjatë të ekonomisë.

Në këtë kontekst, Rama i ftoi protestuesit të shkojnë dhe të njihen nga afër me faktet dhe dokumentacionin mbi propozimet për investime në zonat në fjalë, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe ballafaqimit të argumenteve.

Ai shtoi gjithashtu se ishulli nuk shitet dhe nuk jepet me qira, por mbetet pronë e shtetit shqiptar, ndërsa shteti synon të jetë partner në investime që sjellin zhvillim dhe përfitim publik.

Kryeministri nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë me ritëm të qëndrueshëm në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe procesin e integrimit europian. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›