E Diel, 1 Nëntor 2026

“3D” -Protestat për Zvërnecin, Muçi: Prona është tjetërsuar. Çfarë përfitojnë shqiptarët nga ky investim?

Në emisionin 3D, të moderuar nga Alban Dudushi, u diskutua gjerësisht çështja e projektit turistik në Zvërnec, një investim i shpallur me vlerë rreth 4 miliardë euro, i cili ka ndezur debate të forta dhe përplasje mes banorëve dhe autoriteteve.

Diskutimi u fokusua jo vetëm tek ngjarja, por edhe tek pasojat që ajo sjell për marrëdhëniet mes institucioneve dhe perceptimin e opinionit publik.

Deputeti Redi Muçi, i ftuar në studio, komentoi situatën e ndodhur në Zvërnec dhe protestën e mbajtur ditën e dytë në Tiranë, e cila kërkon anulimin e projektit.

Ai deklaroi se “Këtë herë kryeministri nuk ka përballë Sali Berishën, por ka qytetarët e thjeshtë. Përballë ka njerëzit e zakonshëm, por edhe ne të Lëvizjes Bashkë, që jemi bashkuar me ta.”

Muçi theksoi se problematika nuk është e izoluar vetëm në Zvërnec, por është një fenomen i përhapur në të gjithë Shqipërinë.

“Çështja nuk ka të bëjë vetëm me specifikimet për Zvërnecin, por është një problem që ka ndodhur në shumë zona të vendit. Problemi i parë që protestuan qytetarët është fakti se tokat e shpërndara me ligjin 7501 kanë disa tituj pronësie, por nuk njihen. Sipas banorëve, kemi të bëjmë me një njeri që nuk është fare banor i zonës, i cili ka falsifikuar dokumentat, hiqet si pronar ligjitim dhe më pas bën marrëveshjen me investitorët.”

Deputeti solli shembuj të ngjashëm duke përmendur raste qw sipas tij, “Kjo ka ndodhur me banorët e Zvërnecit, Rradhimës, Palasës, Thethit… të gjitha janë probleme të përsëritura, ku qytetarët përballen me të njëjtën padrejtësi.”

Muçi ngriti shqetësimin se projekti parashikon ndërtimin e 10 mijë njësive banimi në një zonë të mbrojtur, me karakteristika të veçanta që lidhen me resurset natyrore. Ai theksoi:

“Flitet për një projekt 4 miliardë euro, por nuk kemi një projekt konkret. Si mund të bëhet një rrethim me tela me gjemba në një zonë të mbrojtur, pa transparencë dhe pa projekt të qartë? Kjo është e papranueshme.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›