E Diel, 1 Nëntor 2026

Flota në hije e Moskës – Franca ndalon anijen çisternë me naftë të sanksionuar ruse

Autoritetet franceze kanë ndaluar një anije cisternë që transportonte naftë të sanksionuar ruse dhe që lidhet me një manjat iranian të naftës. Kremlini e ka cilësuar këtë veprim si në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. 

Anija me emrin Tagor, e cila mbante flamur të rremë, u ndalua në ujërat ndërkombëtare rreth 400 milje detare në perëndim të Bretanjës. Operacioni u krye me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Britaninë e Madhe. Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se: *“Është e papranueshme që anijet të shmangin sanksionet ndërkombëtare, të shkelin ligjin detar dhe të financojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.”* Ai theksoi se operacioni ishte ndërmarrë në përputhje të plotë me ligjin detar. 

Sipas autoriteteve, cisterna Tagor ka lidhje me Mohamed Husein Shamkhan, i biri i një prej këshilltarëve të ish-udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei. Anija ishte nisur nga veriperëndimi i Rusisë me destinacion Kamerunin. 

Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov e cilësoi ndalimin si akt piraterie dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Moska, për të shmangur sanksionet ndaj eksporteve të saj të naftës, përdor të ashtuquajturën “flotë në hije”, e përbërë nga cisterna me struktura të dyshimta pronësie. 

Ky është rasti i katërt që nga shtatori 2025 kur forcat franceze kanë ndërhyrë në bordin e një anijeje të tillë. Në rastet e mëparshme, cisternat janë liruar pasi pronarët kanë paguar gjoba, por së fundmi autoritetet franceze janë zotuar t’i bllokojnë. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›