4 vite pas ndalimit, ekspertët ngrenë alarmin: Në treg qese plastike të pa certifikuara, nuk grumbullohen! Të përdoren ato prej letre

Më shumë se 4 vite pas ndalimit të qeseve plastike njëpërdorimshme me synimin për të reduktuar ndotjen, nga një investigim i Report Tv në disa prej tregjeve të Tiranës sot ende përdoren qeset jashtë standardeve dhe në shkelje të ligjit. Vitet e fundit kontrollet e pakta kanë sekuestruar mijëra kilogramë qese. Bizneset e vogla janë ato që abuzojnë më së shumti ndërsa marketet përdorin qese shumëpërdorimshe. Ekspertët ngrenë alarmin për mungesën e grumbullimit të tyre dhe thonë së qeset përfundojnë në landfille dhe në natyrë, ndërsa propozojnë nisma për shtimin e qeseve të letrës.
***
Që prej vitit 2022, përdorimi i disa kategorive të qeseve plastike në Shqipëri është ndaluar me ligj. Masa synonte të reduktonte përdorimin e plastikës dhe, mbi të gjitha, ndotjen që ajo shkakton në mjedis. Por sa është zbatuar në të vërtetë ky ndalim? Çfarë ka ndryshuar në këto vite dhe a vazhdojnë qeset plastike të jenë pjesë e përditshmërisë sonë?


Nga tre qese plastike, të cilat i morëm nga tre market të ndryshme në Tiranë, ajo që vihet re është trashësia e ndryshme e tyre. Por për të parë nëse përbërja e tyre është brenda normave që ligji përcakton Report tv ka realizuar komunikim me ekspertë të fushës.
Më 30 maj 2022, Këshilli i Ministrave miratoi VKM-në nr. 367, e cila përcaktoi konkretisht qeset plastike të ndaluara, me trashësi më të vogël se 70 mikronë, kapacitet mbajtës nën 10 kg, përmasa më të vogla se 50 cm gjatësi dhe 24 cm gjerësi, si dhe qeset oxo-degradueshme dhe oxo-biodegradueshme.
Më 1 qershor 2022 hyri në fuqi ndalimi i disa kategorive të qeseve plastike njëpërdorimshme në Shqipëri. Sipas legjislacionit, në përdorim lejohen qeset me trashësi 70 mikronë e lart, të cilat janë më rezistente dhe mund të ripërdoren.
Nisma ligjore ishte prezantuar për herë të parë në vitin 2019 nga ministri i atëhershëm i Mjedisit, Blendi Klosi, por zbatimi i saj u shty, për shkak të pandemisë COVID-19 dhe kundërshtimeve nga bizneset që prodhonin dhe importonin qese plastike.
Para hyrjes në fuqi të ndalimit, vlerësohej se çdo person në Shqipëri përdorte mesatarisht rreth 3 qese plastike në ditë, ose rreth 3.2 miliardë qese në vit.
Çfarë ndryshoi realisht pasi qeveria ndaloi qeset plastike? Më shumë se katër vite pas hyrjes në fuqi të ndalimit, përdorimi i qeseve plastike vijon të jetë një çështje që kërkon monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm.
Pas hyrjes në fuqi të ndalimit, zbatimi i ligjit është shoqëruar me kontrolle dhe inspektime të vazhdueshme nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.
Vetëm gjatë vitit 2024, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut kontrolloi rreth 520 subjekte tregtare dhe 648 subjekte ambulante, ndërsa kreu gjithsej rreth 1,336 inspektime për përdorimin e qeseve plastike. Nga kontrollet u konstatuan subjekte me qese jashtë standardeve ligjore dhe u sekuestruan në total rreth 463.8 kg qese jokonforme. Paralelisht, ISHMT zhvilloi edhe një fushatë ndërgjegjësuese, duke informuar rreth 3,245 subjekte mbi kërkesat ligjore për përdorimin e qeseve plastike.
Çfarë premtoi ndalimi në vitin 2022 dhe sa është realizuar në praktikë?
Gazetarja Aurora Hoxha: “Si mund të verifikohet nëse qeset që unë kam në dorë janë në përputhje me standardet ligjore?”
Lavdosh Feruni-Ekspert mjedisi: “Nuk mund të jap një përgjigje të saktë por me pamjen vizive të tyre, me ndjeshmërinë me gishta nuk kemi të bëjmë me qese të mirëfillta të biodegradueshme, qese të zakonshme me përqindje më të madhe të plastikës dhe mendoj që nuk jemi në një situatë që pati ndonjë efekt çështja e ndalimit të 4 vieteve më parë të qeseve plastike. Ishte një nga dështimet e rradhës të Ministrisë së Mjedisit për faktin kryesor se ju keni disa qese që përdoren kryesisht në supermarkete por konsumi më i madh i qytetarëve dhe përdorimi më i madh i plastikës është në tregun e hapur ku shiten fruta – perime që janë masivisht të përdorura dhe ato janë siç kanë qënë 100% plastike jashtë çdo standardi me të njëjtin efekt negatin në ambjent, siç ka qënë është edhe tani.”
Gazetarja Aurora Hoxha: “A ka Shqipëria mekanizma për testimin dhe çertifikimin e këtyre qeseve?”
Lavdosh Feruni-Ekspert mjedisi: “Nuk është problem çertifikimi i qeseve nëse shqipëria nuk ka mekanizmat e duhur apo laboratorët përkatëse për të çertifikuar qeset plastike, kjo mund të bëhet fare mirë në një shtet tjetër që e ka këtë mundësi dhe unë e di që nuk është ndonjë teknologji shumë e sofistikuar mund ta ketë edhe Shqipëria, nuk jam në informacion për këtë gjë, besoj që duhet ta ketë.”
Gazetarja Aurora Hoxha: “A janë qeset mbi 70 mikronë një zgjidhje?”
Lavdosh Feruni-Ekspert mjedisi: “Unë mendoj që zgjidhja duhet të jetë më radikale. Nuk ka të bëjë shumë me adaptimet e parametrave standarde, sepse ato janë lehtësisht të kalueshme, te tejkalueshme nga bizneset. Duhet pse jo të kthehemi në përdorim masiv të letërs, siç ka qenë edhe para viteve '90, ku nuk ekzistonte plastika në Shqipëri dhe ambienti ishte shumë i pastër në këtë drejtim.”
Gazetarja Aurora Hoxha: “Pas katër vitesh nga hyrja në fuqi e këtij ndalimi, le të themi, çfarë ka ndryshuar dhe çfarë duhet përmirësuar në këtë nismë?”
Lavdosh Feruni-Ekspert mjedisi: “Pati një përmirësim të lehtë në fillim, të saj. Pastaj menjëherë u hoq dorë nga ajo për arsye edhe të çështjes së impaktit në çështjen elektorale. Pra, për disa njerëz heqja e qeseve plastike ishte një lloj ndëshkimi, për arsye se duhej blerë apo duhej shmangur dhe kjo u gjykua nga ana politike si jo shumë në favor të mazhorancës, kështu që u kalua në neglizhimin total të përdorimit të qeseve plastike dhe ato u rikthyen në mënyrë të plotë, 100%, siç kanë qenë më parë.”
Por historia e një qeseje plastike nuk përfundon në momentin që ajo hidhet. Ajo mund të ripërdoret, të riciklohet, por mund të përfundojë edhe në ambjentet rreth nesh. Në këtë pikë, rëndësi merr mënyra se si mblidhen dhe trajtohen mbetjet plastike në Shqipëri.
Problemi që ngre Lulzim Baumani është vështirësia e gjetjes së qeseve plastike, ai thotë se mbledhja është e vështirë pasi sipas tij më mirë preferojnë ti djegin ose ti hedhin në lumë sesa ti grumbullojnë për ti ricikluar më pas.
Gazetarja Aurora Hoxha: “Ku e merrni lëndën për riciklim?”
Lulëzim Baumann: “Lënda për riciklim kryesisht vjen nga bizneset e zonës. Ne kemi partneritet me të gjitha bizneset e zonës, në bazë të një marrrëveshje që kemi një herë në javë ose pavarësisht gjithmonë kur ata kanë një sasi të caktuar ne shkojmë edhe bëjmë tërheqjen e lëndës.”
Gazetarja Aurora Hoxha: “Përsa i përket qeseve plastike ato riciklohen bashkë me mbetjet e tjera plastike apo veçmas?”
Lulëzim Baumann: “Qese plastike këtu tek ne nuk vijnë dhe pyetja duhet të jetë pse nuk vijnë… Pavarësisht se ato kanë një mundësi riciklimi sepse është material plastika e riciklueshme. Besoj që një ndër problemet është kryesisht qeset e plastikës janë super të holla edhe meqënëse se ato janë të holla zakonisht humbasin me mbetjet e tjera ose përdoren nga familjarët për m beturina të ndryshme dhe prandaj 99.9% të rasteve qeset plastike përfundojnë në mbetjet familjare që pjesa më e madhe përfundojnë në landfill, rreth 10% e tyre përfundojnë në natyrë, në brigjet e lumenjve për këtë arsye pothuajse asnjë lloj qese plastike tek ne të riciklohet.”
Gazetarja Aurora Hoxha: “Si njohës dhe ekspert i plastikës a mund të na thoni se sa janë brenda standarteve qeset plastike të përdorura në treg?”
Lulëzim Baumann: “Qeset plastike që sot përdoren në treg janë ato qeset tipike njëpërdorimshe pjesa më e madhe e tyre të cilaj janë ndaluar me ligj në bazë të një VKM-je edhe me specifika të caktuara që nga qeshori i 2022. Fillimisht pati një efekt, tani sikur e shikojmë çdo ditë jo vetëm si ekspert por edhe si qytetar kur shkojmë në bizneset e zonës kryesisht në bizneset e vogla ato kanë pafundësisht qese njëpërdorimshe kështuqë automatikisht ato nuk janë standard, nuk janë brenda normave as të ligjit shqiptar, të VKM-së shqiptare por as edhe të kërkesave të BE-së për ndalimin e qeseve njëpërdorimshe, ndërsa supermarketet vazhdojnë me qese shumë përdorimshme që janë të trasha dhe ato janë shumë më të thjeshta për tu ripërdorur dhe për tu ricikluar. Prandaj qeset e vogla janë jashtë normave e të trasht janë brenda normave.”
Gazetarja Aurora Hoxha: “Po çfarë ndodh me qeset që nuk mund të riciklohen? Ku përfundojnë ato?”
Lulëzim Baumann: “Siç e dimë rreth 10% e mbeturinave në Shqipëri nuk grumbullohen, përfundojnë në lumenj apo në natyrë, apo digjen. Në rastin më të keq ato digjen përgjatë rrugëve, kudo ta shikoni sidomos autostrada Fushëkrujë-Vorë që unë vazhdimisht bëj denoncime të djegieve të mbetjeve, një përqindje e mirë janë qeset. Një rast tjetër po akoma shumë i keq është kur këto qese bashkë me mbetjet urbane shtëpiake përfundojnë në brigjet e lumenjëve, pastaj pas çdo përmbytje ngrihet niveli i ujit dhe i shikojmë të shpërndara në të dyja anët e lumit, por kryesisht edhe në pemë”.
Beteja me plastikën nuk përfundon me një ligj, por me mënyrën se si ai zbatohet dhe si ne i menaxhojmë mbetjet çdo ditë.
Qytetarët kanë përgjegjësinë të mos hedhin mbetje në tokë, ndërsa institucionet detyrimin të sigurojnë kosha dhe kushte për menaxhimin e tyre Kur në lagjet tona mungojnë edhe koshat e zakonshëm të mbeturinave, e jo më ata që ndajnë mbetjet sipas materialeve miratimi I disa ligjeve nuk vlen për asgë.