Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, 3 kandidatë me origjinë shqiptare fitojnë në Nju Jork dhe Connecticut, 5 të tjerë humbasin! Ja kush siguroi mandatin dhe si u ndanë votat

Tre kandidatë me origjinë shqiptare kanë dalë fitues në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa pesë të tjerë nuk arritën të sigurojnë mandatet për të cilat garuan. Sipas rezultateve paraprake të publikuara deri më 6 nëntor, fitues janë Joe Hoxha në Connecticut, si dhe Vedat Gashi e Emiljana Ulaj në qarkun Westchester të Nju Jorkut, raporton Telegrafi.
Gara më e ngushtë ishte ajo e Joe Hoxhës, republikanit të lindur në Tiranë, i cili siguroi mandatin e tretë në Dhomën e Përfaqësuesve të Connecticut-it, në Distriktin e 78-të. Hoxha mori 4,585 vota, ose 50.91%, kundrejt 4,421 votave, ose 49.09%, të demokratit Nate Brown. Diferenca mes tyre ishte vetëm 164 vota, ndërsa rezultati mbetet në pritje të certifikimit zyrtar.
Në Nju Jork, Vedat Gashi, demokrat i lindur në Kosovë, fitoi garën për legjislaturën e Westchester County në Distriktin e 4-t. Ai mori 16,142 vota, ose 60.70%, ndërsa kundërshtari republikan John J. Campobasso siguroi 10,435 vota, ose 39.24%.


Fitoren e siguroi edhe Emiljana Ulaj, demokrate me prejardhje shqiptare, e cila garoi për legjislaturën e të njëjtit qark, në Distriktin e 9-të. Ulaj mori 14,560 vota, ose 71.69%, kundrejt 5,718 votave, ose 28.15%, të republikanit Gaetano V. Ventrone.
Ndërkohë, Diamant Hysenaj, republikan me prejardhje nga Kosova, humbi garën për një vend në Kongresin amerikan, në Distriktin e 14-të të Nju Jorkut, përballë demokrates Alexandria Ocasio-Cortez. Hysenaj mori 29,505 vota, ose 20.97%, ndërsa kundërshtarja e tij siguroi 107,129 vota, ose 76.14%.
Në të njëjtin shtet, Shpëtim Qorraj, demokrat me prejardhje nga Kosova, nuk arriti të fitonte një mandat në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut. Në Distriktin e 64-t, ai mori 14,276 vota, ose 38.60%, përballë republikanit Michael Tannousis, i cili siguroi 21,972 vota, ose 59.41%.
Në Connecticut, Peter Lumaj, republikan i lindur në Shqipëri, humbi garën për postin e sekretarit të shtetit përballë demokrates Stephanie Thomas. Me rreth 98.2% të votave të pritshme të numëruara, Lumaj kishte marrë 464,856 vota, ose 36.7%, ndërsa Thomas 801,397 vota, ose 63.3%.
Po në Connecticut, Alma Sarelli, republikane me origjinë nga Shkodra, humbi garën për Senatin e Shtetit në Distriktin e 26-të. Ajo mori 15,114 vota, ose 34.6%, ndërsa demokratja Samantha Nestor fitoi me 28,572 vota, ose 65.4%.
Kandidatja tjetër shqiptare që nuk arriti të fitonte ishte Edlira Sako, demokrate nga Lushnja, e cila garoi për Senatin e Shtetit të Michiganit në Distriktin e 24-t. Sipas rezultateve të raportuara nga Macomb County, Sako siguroi 52,850 vota, ose rreth 40%, ndërsa republikani Douglas Wozniak mori 80,324 vota, ose rreth 60%