E Hënë, 2 Nëntor 2026

41% e ndërmarrjeve me kredi në banka janë të sektorit të ndërtimit

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, mbi aktivitetin e ndërmarrjeve shqiptare për gjysmën e parë të vitit 2025, sektori i ndërtimit rezulton të ketë nivelin më të lartë të huamarrjes, me 41% të ndërmarrjeve që deklarojnë se kanë hua aktive për të paguar.

Krahasuar me sektorët e tjerë, tregtia renditet e dyta me 40%, ndërsa shërbimet shfaqin një nivel më të ulët huamarrjeje, me vetëm 24% të ndërmarrjeve të ekspozuara ndaj borxhit.

Vrojtimi i BSH-së, nënvizon varësinë e lartë të sektorit të ndërtimit ndaj financimit bankar për të përballuar ritmet e larta të investimeve dhe kostot operacionale, që janë gjithnjë në rritje në këtë sektor.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve që kanë marrë hua gjatë kësaj periudhe, përfshirë ato në ndërtim, i kanë përdorur fondet për investime afatgjata (56%) dhe në masë më të vogël për shpenzime operacionale të aktivitetit (30%).

Në përgjithësi, 33% e ndërmarrjeve në rang kombëtar kanë një hua aktive, duke shënuar rënie me 3 pikë përqindjeje krahasuar me periudhën e kaluar dhe me 4 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, ndërtimi vijon të jetë sektori më i ekspozuar, duke reflektuar dinamikat intensive të zhvillimit dhe nevojën për likuiditet të menjëhershëm.

Në vrojtim e kryer nga Banka e Shqipërisë u përfshinë 1366 ndërmarrje në të gjithë vendin, ku shumica e ndërmarrjeve raportuan rritje të shitjeve dhe rezultate pozitive financiare, ndërsa pritshmëritë për të ardhmen mbeten optimiste, sidomos për ndërmarrjet e mëdha.

Sipas vrojtimit, rreth 92% e ndërmarrjeve kanë realizuar fitim. Tre grupet kryesore të bizneseve – të vogla, të mesme dhe të mëdha – raportojnë rritje të rezultatit financiar, me performancë më të lartë te ndërmarrjet e mëdha dhe të mesme.

Rreth 46% e ndërmarrjeve kanë deklaruar se nuk planifikojnë të marrin kredi gjatë pjesës së mbetur të vitit 2025, një rritje me 5 pikë përqindje.

Gjithashtu, ndërmarrjet vlerësojnë se procesi i marrjes së kredisë nga bankat është bërë më i lehtë, por marrëdhënia me bankat mbetet e rëndësishme apo e domosdoshme për shumicën e tyre. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›