E Hënë, 2 Nëntor 2026

Doganat dhe Porti i Durrësit, marrëveshje për shkëmbim informacioni përmes platformës inovative ASYHUB

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Autoriteti Portual Durrës  në vijim të përpjekjeve për digjitalizimin dhe modernizimin e proceseve doganore nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin e të dhënave të informacionit paraprak për ngarkesat detare në hyrje dhe dalje, përmes platformës inovative ASYHUB.

Kjo marrëveshje, e firmosur nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli dhe  drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari, synon të forcojë bashkëpunimin institucional ndërmjet dy strukturave në drejtim të digjitalizimit të shkëmbimit të informacionit dhe përmirësimit të menaxhimit të riskut në transportin detar.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Gazheli theksoi se “informacionet që do të marrim në avancë, bazuar në informacionin paraprak të hyrjes apo daljes të ngarkesave detare të marra nga sistemi ASYHUB, do të na ndihmojnë për përzgjedhjen për kontroll të ngarkesave me risk, bazuar në rezultatet e analizave të riskut dhe dhënien prioritet çlirimit të ngarkesave me risk të ulët për mallrat që mbërrijnë në portin e hyrjes (përpunimi para mbërritjes) apo të daljes (përpunimi para nisjes)”.

Përmes integrimit të platformës ASYHUB me sistemet ekzistuese të Doganës dhe Portit, do të mundësohet shkëmbimi automatik dhe i sigurt i të dhënave për ngarkesat detare, që dorëzohen nga transportuesit përpara mbërritjes ose nisjes së anijeve.

Kjo pritet të sjellë thjeshtim dhe automatizim të procesit të dorëzimit të manifestit të ngarkesës, reduktim të barrës administrative për operatorët ekonomikë, rritje të efikasitetit në përpunimin doganor të mallrave dhe përmirësim të menaxhimit të riskut dhe sigurisë në kufijtë detarë.

Ky hap përbën një tjetër zhvillim të rëndësishëm në procesin e modernizimit të administratës doganore dhe digjitalizimit të zinxhirit logjistik, në funksion të lehtësimit të tregtisë dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj operatorëve ekonomikë.

Për Administratën Doganore, digjitalizimi i procedurave dhe në mënyrë të veçantë forcimi analizës së riskut për të balancuar lehtësitë për biznesin e ndershëm dhe forcimin e kontrollit për parandalimin e kontrabandës dhe evazionit fiskal, janë prioritetet kryesore të strategjisë së Teknologjisë së Informacionit.

1 nga 5

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›