5 institucione të drejtësisë raportojnë sot në Kuvend, pritet miratimi i 2 komisioneve të posaçme për “Zgjedhoren” dhe “Territorialen”

Kuvendi do të mblidhet këtë të hënë (27 tetor) në një seancë e cila pritet të jetë maratonë. Pesë institucione të drejtësisë do të raportojnë në Kuvend veprimtarinë vjetore të punës së tyre, konkretisht Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Koha e debatit për çdo raportim do të jetë 150 minuta, në rast se nuk do të ketë përplasje e kaos që do të pengonte veprimtarinë normale të punimeve të Kuvendit, e cila më pas mund të çonte në mbylljen e seancën plenare.
Po ashtu, Kuvendi pritet të hedhë në votim këtë të hënë edhe dy projektvendimet për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, si dhe Reformën Administrativo-Territoriale, të cilat derimë tani kanë marrë dakordësinë e dy palëve opozitë-mazhorancë në lidhje me numrin e barabartë të anëtarëve, bashkëdrejtimin e tyre, si dhe marrjen e ekspertizës ndërkombëtare.
/rtsh.al/