Drejtësia raporton në Kuvend, Peleshi-opozitës: Seanca do zgjasë 16 orë. Këlliçi: Kemi 6 javë që s’kemi të drejtën e fjalës

I akuzuar nga opozita për pengim të punës së Parlamentit, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi u bëri të qartë deputetëve se seanca plenare, ku do të raportojnë 5 institucionet e drejtësisë, pritet të zgjasë 16 orë.
“Më besoni se unë dhe kushdo tjetër, s’ka interes të mos ecë procedura, të ngec apo të prishet një seancë parlamentare. S’kam ardhur në këtë institucion, të punimeve të Parlamentit për të penguar parlamentarizmin”, tha Peleshi.
Në fjalën e tij, demokrati Belind Këlliçi theksoi se opozita ka 6 javë që kërkon të drejtën e fjalës në seanca plenare, ndërsa akuzoi mazhorancën dhe kryeparlamentarin Peleshi se ka mbyllur seancat me qëllim heshtjen e opozitës karshi institucioneve të drejtësisë.
“Na janë vrarë gjyqtarë në salla. Drejtësia është kthyer në padrejtësi. Qëndrimi ynë është i qartë, duam të zhvillohet seanca. Kemi 6 javë që s’kemi të drejtën e fjalës. Ju keni vendosur të mbyllni seancën. Deputetët e opozitës vijnë të përgatitur”, theksoi Këlliçi.
Nga ana e tij, kryedemokrati Sal Berisha ka sqaruar votën pro të opozitës për ngritjen e dy komisioneve të posaçme, atij për “Zgjedhoren” dhe “Territorialen”, ndonëse nuk njeh rezultatin e prodhuar nga zgjedhjet e 11 majit.
“Teritorialja antireforma. Standardet e pabarazisë maksimale. Qarku Gjirkastrës ka 7 njësi, ndërkohë qarku i Tiranës ka 4 njësi. Ne do bëjmë gjithçka që këto padrejtësi maksimale të largohen, të anulohen dhe kjo me ndihmën e kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Europës. Kjo është arsyeja pse i votuam këto dy komisione, ndonëse me bindjen më të thellë se me Ramën nuk ka zgjedhje, votë të lirë. Është vendimi qytetarëve ai që do u rikthejë shqiptarëve votën dhe përpjekja e opozitës”, deklaroi Berisha.
/rtsh.al/