“Zgjedhorja” dhe “Territorialja”- Mediu: Nevojitet konsensus para vetos së bashkëkryetarëve. Gjiknuri: Partitë janë të përfaqësuara

Ndonëse u miratuan me konsensus të të dy palëve politike, mazhorancë-opozitë, komisionet e posaçme parlamentare për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, janë kthyer në objekt debatesh në seancën e sotme plenare. Deputeti i Partisë Republikane Fatmir Mediu, deklaroi se po vijon tradita e ngritjes së komisioneve pa të drejtë vote dhe ku vetoja vendoset nga dy bashkëkryetarët. Ai theksoi se fakti që komisioni do të jetë pa të drejtë vote, do të prodhojë kode të cilat as vetë deputetët nuk do i njohin.
Mediu kërkoi një konsensus paraprak brenda kaheve politikë para se të shkohet te vetoja.
“S’mendoj se na bën nder fakti që ky komision ecën sipas traditës elektorale sepse kjo traditë nuk ka prodhuar asnjë kod elektoral që të minimizonte problemet zgjedhore. Transparenca është para votimit, jo pasi votohet. Përfshirja e të gjithë subjekteve politike për zgjedhore, e domosdoshme sidomos pas raportit të OSBE/ODIHR.
Ky është komision ku vota s’ka vlerë. Mjafton mirëkuptimi i dy bashkëkryetarëve. Komision pa të drejtë vote, është histori e përsëritur dhe ka prodhuar kode që s’i kanë njohur as deputetët.
Të ketë një konsensus paraprak para se të shkojmë te vetoja brenda krahëve politikë, që palët që janë në opozitë të diskutojnë mbi vlefshmërinë apo pavlefshmërinë në kodin zgjedhor”, deklaroi Mediu.
Nga ana e tij, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, u shpreh se edhe partitë të cilat janë pa anëtarë në komisionet e posaçme kanë të drejtë që të marrin pjesë në mbledhje dhe të bëjnë propozimet e tyre. Ai theksoi se gjithçka do të jetë transparence me prezencën e OSBE/ODIHR, ndërsa shtoi se deputetët e komisionit nuk kanë mandat për ndryshime kushtetuese.
“Të gjithë që shqetësohen përgjigjet i kanë aty, Jam marrë direkt me hartimin e atij vendimit. Partitë janë të përfaqësuara. Çështja e votës është irelevante. Ky komision votën e ka të barazvlefshme me veton e bashkëkryetarëve. Partitë kanë të drejtë të kenë anëtarë, të bëjnë propozime, e pamundur ti akomodosh të gjitha partitë te opozita. Çdo anëtar i çdo partie ka të njëjta të drejta.
Vendimet merren me veton e bashkëkryetarëve. Kjo është tradita. Dhe në 2017 është kështu ka funksionuar.
Më vjen keq që gjithmonë partitë e vogla tentojnë të gjejnë fajin te sistemi duke harruar se janë produkt i atij sistemi. Mos paragjykoni punën e komisionit.
Gjithçka do jetë transparente me prezencën e OSBE/ODIHR. Komisioni është i balancuar. Dy partitë që s’kanë mundësi të kenë anëtarë, kanë të drejtën të marrin pjesë e të bëjnë propozime”, deklaroi Gjiknuri.
/rtsh.al/