Vijon puna për lirimin e trotuareve dhe rrugëve nga rrethimet e paligjshme

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon puna për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga ndërtimet e paligjshme.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga ndërhyrjet në terren ku po vijon puna për të liruar trotuaret dhe rrugët nga rrethimet e vendosura në mënyrë të paligjshme.
“Vijojmë punën për të liruar trotuaret, rrugët dhe hapësirat publike të zaptuara”, u shpreh Rama, duke ndarë pamje nga ndërhyrja në terren.
E nisur në muajin korrik të vitit 2025, nisma – pjesë e programit “Rilindja Urbane 2.0” – është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.
Qeveria ka forcuar kontrollet mbi territorin dhe ka ashpërsuar masat në Kodin e ri Penal për goditjen e ndërtimeve pa leje.
Përmes portalit “Hapësira ime publike”, qytetarët kanë raportuar deri tani 19 280 raste shkeljesh. Nga këto, 14 847 janë zgjidhur, ndërsa 4433 raste janë në proces shqyrtimi. /j.p/