E Diel, 1 Nëntor 2026

A po diskutohet neni “Basha” brenda PD? Deputetja demokrate tregon çfarë po ndodh me opozitën pas humbjes

83 deputetë nuk do të ulen më në kuvend në muajin shtator,  prej të cilëve 45 i përkasin Partisë Socialiste dhe 21 Partisë Demokratike. Për shumicën prej tyre angazhimi në politikë do të vazhdojë edhe pse s’do jenë më në parlament.

Për të diskutuar situatën e fundit politike dhe atë që po ndodh me partitë politike, mbrëmjen e sotme ishin të ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus, me moderatoren Pranvera Borakaj, Andia Ulliri, deputete e PD, Lavdrim Krashi, deputet i PS, Endri Shabani, kryetar i “Nisma Thurje”, Bledar Bejko, ish Prokuror në Durrës dhe Sokol Bregu, Gazetar “KÇK”.

Deputetja demokrate Andia Ulliri ndau detaje nga situata brenda në PD, partia më e madhe opozitare e cila në zgjedhjet e 11 majit, arriti që të merrte vetëm 50 mandate.

Ulliri tha se PD nuk i njeh këto zgjedhje ndërsa theksoi se brenda partisë nuk ka diskutime nëse kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, do ta zbatojë nenin “Basha”. Sipas Statutit, kryetari i partisë që humb zgjedhjet duhet të dorëhiqet.

Pjesë nga biseda në studio:

Andia Ulliri: Jo çdo debat politik është i ekspozuar në nivele mediatike.

Pranvera Borakaj: A ka nisur të diskutohet largimi i Berishës? A do të zbatohet neni “Basha”?

Andia Ulliri: Te ne është diskutuar se çfarë po ndodh pas zgjedhjeve. Është diskutuar në të gjithë forumet ku ne kemi qenë pjesë. Ne nuk e besojmë që këto zgjedhje janë reale dhe nuk i njohim dhe e gjithë vëmendja jonë ka qenë e anagzhuar në faktin që këto zgjedhje ishin një deformim i vullnetit të qytetarëve.

Pranvera Borakaj: Të mos njohësh zgjedhjet do të thotë të mos marrësh as mandatet. A do ta bëjnë sërish demokratët këtë gabim?

Andia Ulliri: Nuk është hedhur në tavolinën e diskutimit ky opsion. Ne shohim një kontestim të zgjedhjeve jo vetëm nga PD por edhe nga parti të tjera dhe vetë kolegë të PS që kanë kërkuar pamje filmike. I tërhoqën, por ka ende nga ata kolegë që kanë kërkuar pamje filmike. Është një fenomen i cili nuk ka ndodhur më parë. Këto zgjedhje provuan një anomali të re dhe këto zgjedhje kanë ndikuar të gjitha palët politike. Aty ka pasur një deformim të vullnetit qytetar.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›