E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

A po përpiqet PD-ja të marrë protestën? Hoxha: Nuk përmbyset Rama pa bashkim. Dudushi: Berisha do ta kapë që të jetë në tryezë me Ramën

A po përpiqet PD të marrë protestën? Kjo ishte një tjetër pyetje që u bë në studion e “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus.

Për analistin Artan Hoxha, protesta, pa bashkim, nuk mund ta rrëzojë Edi Ramën.

Sipas tij, palët duhet të arrijnë një bashkim nëse duan të realizojnë qëllimin e tyre.

Për analistin Alban Dudushi, Sali Berisha po tenton të kapë protestën, për të qenë sërish në tryezë me Edi Ramën.

Reklamë

Pjesë nga biseda:

Rakipi: A po përpiqet Berisha të rrëmbejë protestën? A e dëmton kauzën e qytetarëve?

Hoxha: Një demokrat thoshte: “Ore, mos u merrni me Qorin”. Kur e kupton këtë situatë, ai në Korçë nuk e di se si e kuptojnë këta. Këta në shesh kanë interes të gjithë që të dalin.

Bala: Qori merr vota të majta.

Hoxha: Qori ka një gjë që nuk bën koalicion me asnjë. Problemi në këtë moment është ky: PD-ja, në situatën që është me sondazhet, me gjithë skandalet që i kanë ndodhur kësaj qeverie, ka treguar pafuqishmëri për të reaguar. Ata kanë frikë të thonë: “Bëj protestën tënde”. Pse duhet sebep të vesh te protesta e studentëve? Po, mbështeti studentët, patjetër që demokratët janë aty. Ne e dimë fare mirë që PD-ja nuk ka shanse të vijë në pushtet e vetme. Dimë që edhe studentët nuk vijnë dot të vetëm. Që të mundësh Ramën, duhet koalicion si ai i vitit 2011. E dini si u fitua Bashkia e Tiranës? Me Hysni Milloshin. Ai rast tregoi fare mirë që, kur ke një situatë të tillë, do të kërkosh bashkimin e të gjithëve. Sheshin e bashkon një pikë që është largimi i Edi Ramës. Të gjithë janë aty. Të gjithë në shesh kanë kundërshti, por ajo që i mban bashkë është largimi i Ramës. E pyetën Berishën sot: “I ke zgjedhur kandidatët?”. Ai tha: “Jemi pak vonë, por do t’i vendosim”. Si vonë? Ti duhet t’i kishe nxjerrë. Ai duhet ta kishte vrarë mendjen përpara.

Bala: Edhe Veliaj u duhet këtyre.

Hoxha: Veliaj diskuton supën te burgu. Në këtë situatë, ata duhet të shohin çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan. Nëse po shohin kush zapton podiumin, është si ajo shprehja: “Pa parë ariun, të merresh me lëkurën e ariut”. Ajo që duhet parë sot është: ore, si do të vijojnë këta? Si do ta rrëzojnë? Ai nuk jep dorëheqjen. Si do ta rrëzosh? Ti je tërhequr, thua: “Jo dhunë”. Pra, pa demokratët nuk rrëzohet Rama, por demokratët pa sheshin aty nuk e rrëzojnë Ramën.

Dudushi: Flamingot dhe kjo protestë dolën si një fluks pakënaqësie kundër një sistemi, i cili, në bindjen e tyre, ka dy këmbë: Rama dhe Berisha. Problemi që ka pasur protesta e dikurshme dhe ajo e tanishme është që parullat mobilizojnë, por parullat nuk krijojnë produkt politik. Në momentin që këta nuk vetëorganizohen, siç është sugjeruar, për të krijuar një front, paralajmërimi ka qenë që një protestë e tillë, që lëviz nga emocioni, ose do të rrëmbehet nga lunatikët dhe do të bien numrat, ose do ta rrëmbejë Saliu, që është grupi më i fuqishëm dhe më i mirëfinancuari. Kalimi nga dhuna i dha një avantazh PD-së, sepse ata e kanë mbështetur këtë protestë të dhunshme. Për sa kohë e mbështet “ushtarakisht”, ti thua: “Unë jam grupi më i organizuar”. Ne e pamë dy javë më parë zotin Berisha, i cili mbante katër konferenca në ditë në mbështetje të protestës, dhe pastaj pamë sulmin frontal të shtunën, ku Berisha i shpalli sulm frontal Qorit dhe njerëzve të së majtës. Në bindjen time, Berisha po tenton të kontrollojë këtë protestë. Të tjerët po rrinë vërdallë të shohin. Berisha, i qartë që nuk vjen në pushtet, thotë: “Këtë protestë e kontrolloj unë dhe jam në tryezë me Ramën”. Duke e ditur nga do të nisim, do të rrëzojmë vetëm Ramën apo do të imponojmë një platformë që krijon premisa për përmbysjen e një sistemi?

Bala: Ka pasur vetëm dy momente të protestës: dhuna në Parlament dhe dhuna e studentëve, që e vuri në siklet pushtetin e Ramës. Unë besoj se te studentët nuk kanë lidhje flamingot, ndërsa te e dyta është Berisha.

Rakipi: Dhe Berisha dhe Rama?

Bala: Po, edhe Berisha, edhe Rama. Se mund të bëhet si në Greqi. Gabimi më i madh që bënë Flamingot është se u fokusuan më shumë te dorëheqja e Ramës sesa te reforma e vitit 2008.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›